Kodi Zgjedhor, Mickoski: S'ka optimizëm për arritjen e konsensusit
15.07.2026 15:41
Në ditën kur përfundon afati shtesë për arritjen e konsensusit për Kodin Zgjedhor....

Në ditën kur përfundon afati shtesë për arritjen e konsensusit për Kodin Zgjedhor, kryeministri Hristijan Mickoski tha se nuk pret zhvillime pozitive, duke shtuar se deri më tani opozita nuk ka arritur të organizojë asnjë takim të përbashkët. Kryeministri Hristijan Mickoski u bëri thirrje partive opozitare të ulen në një tryezë dhe të harmonizojnë një propozim të përbashkët për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke theksuar se shumica qeverisëse është e gatshme ta votojë atë pa debat shtesë, me kusht që të përfshihet edhe votimi i diasporës.
“Nuk jam optimist, sepse kemi të bëjmë me politikanë të papërgjegjshëm dhe të papjekur në opozitë. Ne si koalicion qeveritar e kemi harmonizuar qëndrimin tonë dhe në tavolinë u thamë, ja, merruni vesh, shkruajeni, sillni, për sa kohë që votimi i diasporës është përfshirë në të, ne do ta mbështesim pa kushte. Kanë kaluar ditë, ata po zvarriten se kush do ta thërrasë kë dhe ku do të mbahet ai takim ndërmjet opozitës. Unë sot, ja, i bëj thirrje për pjekuri, për përgjegjësi, edhe kryetarët e BDI-së, të LSDM-së, të Së Majtës, krahut të Zijadin Selës, të Arbën Taravarit, të ulen së bashku si parti opozitare, të bien dakord dhe le të sjellin ligj ku është i përfshirë votimi i diasporës, ne do ta pranojmë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
LSDM: Zgjidhjet e pushtetit s'janë obligim ndaj BE-së
Nga LSDM theksojnë se, edhe pse përmirësimi i legjislacionit zgjedhor është pjesë e agjendës reformuese, zgjidhjet që po i promovon aktualisht pushteti nuk janë obligim ndaj BE-së dhe nuk përbëjnë kusht për avancimin e procesit negociues. Sipas LSDM-së, në vend që të mbrohet vullneti i qytetarëve, po ushtrohet presion për pranimin e zgjidhjeve që, sipas tyre, mundësojnë manipulim zgjedhor.
"Në vend që të merremi me mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve, po ushtrohet presion që të pranohen zgjidhje të cilat mundësojnë manipulim zgjedhor. Kjo gjë nuk është përparim drejt Bashkimit Evropian, por një hap prapa drejt praktikave jodemokratike, që na kthejnë në kohën e Gruevskit. Bllokada e vërtetë e rrugës evropiane nuk vjen nga opozita. Ajo vjen nga VMRO-OKG, e cila tashmë dy vjet nuk zbaton reforma thelbësore dhe e mban Maqedoninë në izolim. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë parakusht për BE-në, e jo një ligj i shkruar për t'i siguruar përparësi pushtetit. Çdo gjë tjetër është përpjekje për të fshehur paaftësinë dhe korrupsionin e vet pas agjendës evropiane.", thonë nga LSDM.
Sa i përket pretendimeve për zgjedhje të parakohshme, kryeministri Mickoski bëri të ditur se mandati i kësaj Qeverie është deri në vitin 2028.
“Qëndrimi im është i qartë se kjo qeveri ka mandat deri në pranverën e vitit 2028 dhe ne jemi të fokusuar që në këtë mandat të plotësojmë atë, qytetarët e presin nga ne, përfshi edhe projekte të tilla kapitale. Kuptohet që nëse jemi të sfiduar, jemi të gatshëm t'i përgjigjemi asaj sfide.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ndërkohë të hënën dështoi iniciativa e partisë opozitare E Majta për organizimin e një takimi me partitë opozitare, me qëllim harmonizimin e qëndrimeve rreth ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Me miratimin e Kodit Zgjedhor, që vendi të fitojë 4 milionë euro para evropiane në kuadër të Planit të Rritjes.
FLORIJE KAMBERI
