Propozim-ligji për përfaqësim, përkundër përplasjeve, vihet për votim

15.07.2026 15:40

Propozim-ligji për përfaqësim thelloi hendekun midis pushtetit dhe opozitës në Kuvend....

Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në institucione thelloi edhe njëherë hendekun midis pushtetit dhe opozitës në Kuvend. Shumica parlamentare e vuri në rend dite për votim propozim-ligjin edhe përkundër këmbënguljes së deputetëve opozitar shqiptar që i njëjti të hiqet nga rendi i ditës derisa nuk arrihet ujdi e përbashkët që propozim-ligji t’i ketë të gjitha elementet e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucione. Opozita pretendon se pushteti dëshiron të kontrabandojë ligjin në dëm të shqiptarëve.
 
“Pati një debat publik dhe ende nuk i kemi konkluzionet rreth atij debati publik. Pra, sot nuk jemi të gatshëm për të votuar për këtë ligj. Ju jeni drejtuar edhe Komisionit të Venedikut. Ata nuk u kanë dhënë përgjigje të prerë se ky duhet të jetë ligji që ju e propozoni.”, - deklaroi deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti. 
 
“Nuk kalon. Ligji është antikushtetues, ligji e dëmton shtyllën kryesore të shtetit që është Marrëveshja e Ohrit, ligji nuk ka kuota, ligji nuk ka mekanizëm kontrollues, nuk ka sanksione. Nuk ka mekanizëm funksional për përcaktimin e kombësisë.”, - theksoi deputeti i Frontit Evropian, Ilir Hasani. 
 
Rruga Tetovë – Prizren, opozita dyshon për legjitimitetin e projektit
 
Vijuan pyetjet e deputetëve opozitarë, ku nga Fronti Evropian pyetën për legjitimitetin e procedurës së projektit rrugor Tetovë – Prizren, nëse bëhet fjalë për projekt real të dokumentuar apo vetëm për marketing politik.
 
“Që nga nënshkrimi i marrëveshjes e deri më sot, nuk është zhvilluar asnjë procedurë thelbësore administrative dhe teknike për realizimin e këtij projekti, ndërkohë që përfaqësues të pushtetit lokal deklarojnë publikisht se ndërtimi i rrugës tashmë ka filluar.”, - u shpreh deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari.
 
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski, theksoi se dokumentacioni po kompletohet plotësisht, pasi që bëhet fjalë për projekt kompleks edhe me tunele.
 
“Janë kërkuar të dhëna edhe nga Republika e Kosovës, duke pasur parasysh se tuneli nis në territorin tonë dhe përfundon në Kosovë. Pas marrjes së këtyre të dhënave, Fakulteti i Ndërtimtarisë do të nisë projektimin edhe të zgjidhjes së tunelit.”, - deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski.
 
Deputetët refuzuan edhe shqyrtimin e rezolutës opozitare për zbatimin e gjuhëve në provimin e jurisprudencës.
 
MERAL ISMAILI