Botë
Konflikti ShBA – Iran, Luftë e hapur në Gjirin Persik, ShBA-ja bllokon detin, Irani godet bazat amerikane
16.07.2026 14:02
Urdhri i prerë i Shtëpisë së Bardhë për bllokadë detare është vënë menjëherë në lëvizje....

Urdhri i prerë i Shtëpisë së Bardhë për bllokadë detare është vënë menjëherë në lëvizje. Avionët ushtarakë amerikanë kanë goditur dhe paaftësuar një tanker të madh nafte në afërsi të Ishullit Kharg. Sipas Komandës Qendrore të ShBA-së, mjeti lundrues injoroi paralajmërimet për ndalimin e eksporteve iraniane. Paralelisht, raketat amerikane kanë shkatërruar qendrat e komandës dhe bazat e dronëve në qytetin port të Bandar Abbasit.
Përgjigjja e Teheranit erdhi përpara agimit dhe ishte e pamëshirshme. Një breshëri dronësh kamikaze dhe raketash kruz goditi objektivat amerikane në Jordani, Kuvajt dhe Bahrein. Në Bahrein, sirenat e alarmit detyruan personelin ushtarak të futet në bunkerë, ndërsa në Jordani u raportuan dëme të mëdha në magazinat e karburantit. Nga Uashingtoni, presidenti Donald Tramp lëshoi një ultimatum të dytë dhe kërcënoi me shkatërrimin e plotë të infrastrukturës civile të Iranit.
"Javën e ardhshme gjërat do të bëhen vërtet shumë keq për ta. Ne do t'u shkatërrojmë të gjitha termocentralet e tyre. Ne do t'ua hedhim në erë të gjitha urat, nëse ata nuk ulen në tryezë për të negociuar. Unë mendoj se ata nuk kanë asnjë rrugëdalje tjetër.", - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Por, Teherani ka refuzuar zyrtarisht çdo tryezë bisedimesh. Ndërsa armët flasin, tregjet financiare kanë hyrë në panik. Çmimi i naftës Brent këtë mëngjes kapi vlerën rekord prej më shumë se 85 dollarë për fuçi.
MERITA GASHI
