Rajon
Shqipëri, përplasje për ministren serbe
16.07.2026 14:24
Deklaratat e ministres serbe për spastrim etnik të Kosovës shkaktuan debat në Kuvend....

Deklaratat e ministres serbe për spastrim etnik të Kosovës shkaktuan debat në Kuvend. Dy deputetët e rinj, Erald Kapri dhe Redi Muçi, kërkuan nga kryeministri të reagojë zyrtarisht, por kreu i grupit socialist, tha se kjo çështje ndërkombëtare nuk mund të përdoret për politikën e ditës.
“Çfarë pret qeveria shqiptare dhe kryeministri për të reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe Paunoviq për spastrimin etnik të Kosovës dhe mbështetjes që i dha zëvendëskryeministri serb?”, - deklaroi deputeti i Lëvizjes “Bashkë”, Redi Muçi.
“Ku e gjen guximin ish-ministrja serbe që edhe pas 25 vitesh të fyejë rëndë shqiptarët Kosovës, sepse e di që ka një aleat në Tiranë që hesht.”, - theksoi deputeti i “Mundësisë”, Erald Kapri.
“Reagimi i Qeverisë shqiptare ka qenë në kohë adekuat nga Ministria e Jashtme. Këto janë çështje që nuk adresohen me karagjozllëk diletantësh politikë, të një kadeti të ri në Kuvend. Nuk tallemi me çështjet kombëtare, s’jemi karagjozë si puna jote.”, - u shpreh Taulant Balla.
Edhe këtë seancë deputetët e PD-së bojkotuan, por për këtë çështje, një reagim e pati kryetari Sali Berisha, i cili tha se e dënon me forcën më të madhe heshtjen prej vasali të Edi Ramës, i cili nuk e shpall “non grata” zyrtaren e lartë serbe.
LULJETA NDOKA
