Maqedoni

Rindërtimi i Sahat Kullës së Tetovës, Kasami: Presim përkrahjen e Ministrisë së Kulturës

16.07.2026 15:14

Pas më shumë se dy dekadash përpjekje, projekti për rindërtimin e Sahat Kullës së Tetovës po hyn në një fazë konkrete....

Pas më shumë se dy dekadash përpjekje, projekti për rindërtimin e Sahat Kullës së Tetovës po hyn në një fazë konkrete. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me ministrin e Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, dhe drejtorin e Qendrës Kombëtare të Konservimit, Aleksandar Jordanoski, vizituan lokacionin ku pritet të rindërtohet një nga simbolet historike të qytetit. Kasami tha se janë siguruar 200 mijë euro donacion nga Komuna e Konjës në Turqi për realizimin e projektit, ndërsa pret që mbështetje financiare të sigurojë edhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit.
 
“Veç më kemi siguruar donacion për rikonstruimin dhe rikthimin e kësaj kulle në bashkëpunim me Komunën e Konjës nga Republika e Turqisë, e cila ka siguruar 200.000 euro për ndërtimin e kësaj kulle, por tanimë në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Kulturës do të kompletohet projekti, do të përpilohet edhe konstruksioni financiar, ku do të dalë se sa do të jetë vlera totale e ndërtimit të saj.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. 
 
Sulejmani: Së shpejti do të fillojnë punimet
 
Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, tha se është i angazhuar për këtë projekt që nga viti 2006, kur një ekip arkeologësh zbuloi themelet e Sahat Kullës. Sipas tij, tashmë janë krijuar kushtet që projekti të marrë formë konkrete dhe së shpejti të nisë faza e realizimit.
 
“Që nga viti 2006, të gjitha procedurat janë ndërmarrë për rindërtimin e Sahat Kullës, por atëherë nuk kishin ndoshta edhe përkrahje të mjaftueshme. E tash, ministri i Kulturës dhe Turizmit, e kemi edhe kryetarin e Tetovës, i cili është i interesuar që përfundoi këtë projekt, besoj se së shpejti do të fillojnë edhe me punime. Tani më i kemi hapur tenderët për t'i marrë masat e duhura me të cilat do të ndërtohet Sahat Kulla. Do të fillojë faza e projektimit edhe besoj se për një kohë të shkurtër do të arrijmë që Tetovës t'i sjellim edhe një monument që nuk e ka pasur që nga koha e hershme.”, - deklaroi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani.
 
Jordanoski: Arritëm tek të dhëna të reja për pamjen
 
Nga Qendra Kombëtare e Konservimit thonë se hulumtimet e reja historike kanë sjellë të dhëna të rëndësishme për pamjen autentike të Sahat Kullës, duke hapur rrugën për rindërtimin e saj, sipas formës origjinale.
 
“Si drejtor, kërkova hulumtime plotësuese historike për pamjen e Sahat Kullës. E angazhova bashkëqytetarin tuaj Bransilav Svetozareviq, i cili është këshilltar në Komunën e Tetovës, por edhe historian në Arkivin Historik të Maqedonisë dhe arritëm tek të dhëna të reja për pamjen e Sahat Kullës. E bëmë një fotografi me Inteligjencë Artificiale në bazë të të dhënave të gjetura. Këtu do të shihni se pjesa e mesme është ndërtuar nga mermeri. Për dallim nga Sahat Kulla në Gostivar që është e mbyllur, kjo është e hapur, kemi orë dhe kemi një hapje për dritare.”, - theksoi Aleksandar Jordanoski nga Qendra Kombëtare e Konservimit.
 
Përndryshe, projekt për ndërtimin e Sahat Kullës në Tetovë ka pasur shumë vite më parë, por ai është ndaluar, pasi, sipas autoriteteve, ka qenë një plagjiaturë nga Sahat Kulla e Gostivarit, për këtë arsye tani është duke u punuar projekt i ri duke ruajtur origjinalitetin e Sahat Kullës së Tetovës, edhe pse ndërtimi i Sahat Kullës do të jetë sfidues për realizuesit, për shkak të infrastrukturës nëntokësore dhe nevojës për gërmime më të thella. Megjithatë, nëse procedurat zhvillohen sipas planit, projekti pritet të përfundojë brenda një viti e gjysmë, duke i rikthyer Tetovës një nga simbolet e saj historike.
 
VISAR SADIKI