Maqedoni
Mucunski në Uashington, pjesëmarrës në konferencën e terrorizmit politik
16.07.2026 15:28
Mucunski, me ftesë të sekretarit amerikan të Shtetit, po qëndron për vizitë dyditore pune në Uashington....

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, me ftesë të sekretarit amerikan të Shtetit, Marko Rubio, po qëndron për vizitë dyditore pune në Uashington, ku po merr pjesë në një konferencë ministrore kushtuar përballjes me kërcënimet nga terrorizmi politik. Siç njoftojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme, në konferencë janë ftuar përfaqësues të lartë nga më shumë se 60 shtete, me synimin për të avancuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të forcuar gatishmërinë institucionale për përballimin e formave bashkëkohore të dhunës dhe terrorizmit të motivuar politikisht.
"Ky aktivitet paraqet një mundësi të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, përmes shkëmbimit më efikas të informacioneve të sigurisë dhe atyre operative, si dhe përmes një qasjeje të koordinuar ndaj sfidave të reja të sigurisë.", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Në fokus të diskutimeve do të jenë karakteri transnacional i terrorizmit politik, radikalizimi në epokën digjitale, si dhe nevoja për koordinim më të fuqishëm ndërkombëtar në parandalimin dhe identifikimin e hershëm të kërcënimeve. Në kuadër të konferencës, ministri Mucunski do të prezantojë aktivitetet kombëtare për parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe përpjekjet për avancimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe institucional në këtë fushë, theksojnë nga Ministria e Jashtme. Gjatë vizitës në Uashington, në margjinat e konferencës, është parapare edhe takimi i ministrit Mucunski me Daniel Lawton, zëvendësndihmës sekretar amerikan i Shtetit për Evropën Perëndimore, Qendrore dhe Jugore në Byronë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit.
GYLTENE SINANI
