Ekonomi

Seancë e Këshillit Socioekonomik në Qeveri, Durmishi: Miratuam programin vjetor të punës

16.07.2026 15:47

Në ambientet e Qeverisë u mbajt seanca e Këshillit Ekonomik dhe Social...

Në ambientet e Qeverisë u mbajt seanca e Këshillit Ekonomik dhe Social, ku në frymën e dialogut konstruktiv social u diskutuan disa çështje me rrëndësi për: politikat ekonomike, tregun e punës dhe sistemin arsimor. Pas takimit, ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, u shpreh i kënaqur se është sjellë një program vjetor, ku me këtë program përcaktohet dinamika e punës dhe janë vendosur prioritetet për temat të cilat do të jenë lëndë e dialogut social mes Qeverisë, Sindikatave dhe Organizatave të punëdhënësve, ku në mesin e këtyre temave janë: politikat e punësimit, paga minimale, shporta konsumatore, marrëdhëniet e punës, siguria dhe shëndeti në punë, politikat rinore, produktiviteti, si dhe çështjet që ndikojnë në standardin e qytetarëve, por shporta konsumatore, sipas Durmishit, nuk ishte temë e diskutimit në këtë mbledhje.   
 
“Shqyrtuam dhe miratuam programin vjetor të punës të Këshillit Ekonomik Social për vitin 2026. Në seancën e sotme u shqyrtuan edhe dy propozimet jashtëzakonisht të rëndësishme të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, siç është: propozim-ligji për Arsimin e lartë dhe propozim-ligji për sigurinë e cilësisë në arsimin e lartë dhe shkencë. Bëhet fjalë për ligje sistemore që synojnë modernizimin e arsimit të lartë dhe harmonizimin e tyre me standardet evropiane.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
 
Sindikata e zhgënjyer nga takimi
 
Por, nga Sindikatat u shprehën të zhgënjyer nga temat e diskutimit, dhe nuk ishte pjesë e diskutimeve edhe rritja e pagave.
 
“Qëndrimi ynë ishte se shumë po presim për paga më të larta, për kushte më të mira të punës, por kjo nuk ishte pjesë e temave të diskutimit, dhe prapë nga kryeministri na u tha se nuk e kemi kuptuar çështjen e diskutimit të kësaj mbledhje. Por, vetëm na u tha nga kryeministri se nëse vazhdon ky trend demografik dhe kemi çdo herë sa më pak njerëz në Maqedoni, për 10 deri në 15 vite do të ndodhë kataklizëm i vërtetë në Maqedoni, dhe se do të mbesim edhe pa punëtorë edhe pa paga.”, - theksoi Ivan Peshevski nga Sindikata.  
    
Nga Sindikata e Punëtorëve po ashtu u tha se beteja e tyre për rritjen e pagës do të vazhdojë, dhe të dhënat e fundit për shportën konsumatore janë shqetësuese, dhe se duhet intervenim i shpejtë. Këshilli Ekonomik dhe Social përbëhet nga 12 anëtarë, nga katër nga Qeveria, sindikata përfaqësuese dhe shoqata përfaqësuese e punëdhënësve në nivel kombëtar.
 
FITIM KRYEZIU