Maqedoni
Shtyhet votimi i pr/ligjit për përfaqësim, opozita vijoi me replika, kërkoi datën e votimit
16.07.2026 16:02
Kuvendi u përfshi në tension, procedurale dhe ndërhyrje nga vendi...

Kuvendi u përfshi në tension, procedurale dhe ndërhyrje nga vendi, pasi u shty votimi i propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat i caktuar në mesditë. Nënkryetarja e Kuvendit, në mungesë të kryetarit Afrim Gashi theksoi se nuk janë krijuar kushte për votim, dhe procesin e la për një afat shtesë, pa saktësuar kohën. Kjo ndezi opozitën shqiptare që këmbëngulën që të caktohet dita dhe ora e votimit që ata të pengojnë miratimin e ligjit. Opozita druan se pushteti po krijon kushte që të kontrabandojë ligjin në momentin kur opozita nuk do të jetë kompakte sikurse sot.
“Mund të kërcehet pika tetë, sipas kësaj që lexoni ju, por këtu ka një fjali tjetër: ta caktojmë ditën dhe orën e votimit. Pra, sipas kësaj rregullore, sipas këtij neni, nuk mund të kërcehet kjo pikë e rendit të ditës pa mos e caktuar ditën dhe orën e votimit.”, - deklaroi deputeti i ASh-së, Halil Snop¬çe.
“Qëndrimet e deputetit janë të lira dhe dua të pyes nëse këto vonesa i bën për të përdorur ndonjë formë shantazhi ndaj deputetëve, joshje ndaj deputetëve apo çka?”, - theksoi deputeti i Lidhjes Shqiptare, Zijadin Sela.
Edhe nga Fronti Evropian në kundërshti me ligjin insistuan që t’i jepet epilog konkret procesit, i cili, sipas tyre, nuk përmban elemente për përfaqësim të drejtë.
“Ne këtu jemi dhe kërkojmë që pika e propozim-ligjit për propozim të drejtë dhe adekuat të hidhet në votim dhe ta përfundojmë këtë kapitull.”, - u shpreh deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari.
Nënkryetarja e Kuvendit, Vesna Bendevska, kryesuese e seancës nuk hiqej nga qëndrimi i saj për ta vazhduar seancën. Ajo dha disa herë pauzë për t’u shtensionuar situata. Madje përgënjeshtroi supozimet për manipulim me ligjin.
“Sa i takon supozimeve tuaja se dikush do të kontrabandojë ligjin, absolutisht ju bind se as që ka tendencë e as ekziston një dëshirë e tillë.”, - theksoi nënkryetarja e Kuvendit, Vesna Bendevska.
Historia e mosvotimit të propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nisi dje. Ligji ishte parashikuar të hidhej në votim, por kjo nuk ndodhi, për të vazhduar sot. Për ta votuar ligjin, përpos votimit të thjeshtë, nevojitet edhe votimi me badinter të vogël, të cilën para një kohe e vendosi Komiteti për Marrëdhënie midis Bashkësive. Kjo nënkupton se për miratimin e ligjit në të dyja rastet nevojitet shumica e votave të deputetëve të pranishëm në seancë.
MERAL ISMAILI
