Botë
ShBA-ja dhe Irani vazhdojnë sulmet, Shtëpia e Bardhë: Diplomacia është ende e mundur
17.07.2026 11:59
Forcat amerikane i kanë shtuar sulmet ndaj shënjestrave në Iran, duke goditur ura kyç...

Forcat amerikane i kanë shtuar sulmet ndaj shënjestrave në Iran, duke goditur ura kyç, linja hekurudhore dhe një aeroport, gjë që ka nxitur kundërpërgjigje nga Teherani. Më gjithë këto sulme të reja, Shtëpia e Bardhë ngul këmbë se bisedimet për paqe po vazhdojnë dhe se diplomacia mbetet ende mundësi e arritshme.
“Forcat amerikane filluan një valë të re sulmesh kundër Iranit për natën e gjashtë radhazi, me qëllim dobësimin e mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake iraniane.”, tha Komanda Qendrore e ShBA-së (CENTCOM) natën vonë të enjten. Mediat iraniane raportuan sulme rreth ishullit Qeshm pranë Ngushticës së Hormuzit, që ka qenë pika qendrore e konfliktit javët e fundit. Në orët e para të së premtes, autoritetet në Kuvajt, Bahrejn dhe Katar thanë se sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore po reagonin ndaj sulmeve me raketa dhe dronë iranianë.
Mediat iraniane thanë se ushtria e vendit po synonte helikopterë dhe avionë amerikanë të vendosur në një bazë ajrore në Bahrejn “në përgjigje të veprimit armiqësor të armikut që goditi infrastrukturën urbane dhe njerëzit e pafajshëm”. Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) pretenduan në dy deklarata të ndara të enjten vonë se kishin goditur baza ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Jordani.
Në njërën deklaratë, IRGC pretendoi se ushtria amerikane kishte përdorur bazat ajrore në Jordani për të nisur sulmet ndaj Iranit një natë më parë. Sistemi gjyqësor iranian deklaroi se hetimet e tij treguan se asnjë shtetas amerikan që përputhej me përshkrimin e bërë nga Trampi apo ndonjë amerikan tjetër i ndaluar, nuk ishte liruar nga burgjet iraniane ose shkëmbyer.
