Rajon

Deklarata e ministres serbe, Paunoviq, reagime të shumta në Kosovë, BE dhe Serbi

17.07.2026 14:10

Deklarata e ministres serbe ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, BE, por edhe në Serbi....

Deklarata e ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte kryer spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998, ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, BE, por edhe në Serbi. Kosova e ka shpallur person ‘non grata’ ministren Paunoviq, duke ia ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe kalimin transit përmes saj. Vendimi është marrë nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sipas të cilit ministrja serbe Paunoviq, me deklaratën e saj ka rikonfirmuar atë nga e cila Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë, projektin e spastrimit etnik të shqiptarëve. 
 
"Kjo gjuhë dhe kjo aspiratë e shpërfaqur nuk është e re. Ajo është vazhdimësi e një politike shtetërore që për shumë dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre. Urrejtja e tillë e vazhdueshme, e shprehur me tone kërcënuese ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë nga ministrja në fjalë, është e papranueshme dhe duhet të dënohet ashpër nga shtetet dhe shoqëritë demokratike që mbrojnë paqen, të drejtat e njeriut dhe nuk tolerojnë retorikë e sjellje që nxit urrejtje, destabilizim dhe përsëritje të politikave kriminale të së kaluarës.", thekson ministri Sveçla. 
 
Ndërkohë ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deponuar kallëzim penal ndaj ministres në Qeverinë e Serbisë, Paunoviq, për shkak të deklaratave të saj publike, të cilat i ka cilësuar si nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe glorifikim të spastrimit etnik. 
 
"Në cilësinë e ministres së Drejtësisë kërkova nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, që, në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente. Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës në Kosovë. Mbi 10.000 civilë shqiptarë humbën jetën, 1.565 persona ende figurojnë të zhdukur, afër një milion qytetarë u dëbuan me dhunë, rreth 20.000 gra, burra e fëmijë u përdhunuan dhe mbi 100.000 shtëpi u shkatërruan dhe u dëmtuan rëndë. Këto ishin pasoja të një fushate sistematike të gjenocidit e spastrimit etnik të kryer nga regjimi serb në Kosovë, të shoqëruar me vrasje, dëbime, dhunë seksuale dhe trajtim çnjerëzor.", thekson Gërvalla. 
 
Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Luksemburg, BE dhe NATO, njëkohësisht kryenegociator për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, ka bërë të ditur se çështjen e deklaratës së ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, lidhur me spastrimin etnik në Kosovë, e ka ngritur zyrtarisht me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun. 
 
“E kam ngritur zyrtarisht me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun, Sørensen, deklaratën alarmuese të një ministre serbe, e cila hapur avokoi për spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë.”, ka shkruar Bajrami në X. 
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, u shpreh e befasuar me faktin se Snezhana Paunoviq vazhdon të mbajë funksionin e ministres në Qeverinë e Serbisë edhe pas deklaratave të saj lidhur me spastrimin etnik në Kosovë.  
“Ishte shokuese të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha. Ishte vërtetë tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj.”, ka thënë Kos. 
 
Sipas saj, është e papranueshme që një vend kandidat të përdorë retorikë antievropiane. Edhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe Paunoviq, duke e cilësuar atë si të turpshme dhe të dëmshme për besimin në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. 
 
“Kjo e shkatërron seriozisht besimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.”, ka shkruar raportuesi Terras,  në platformën X. 
 
Ndërkohë 53 deputetë të opozitës në Serbi i kanë dorëzuar kryeministrit Gjuro Macut një kërkesë zyrtare për shkarkimin e ministres Paunoviq. Këtë e ka bërë të ditur deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili njoftoi se iniciativa është ndërmarrë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik.
 
GYLTENE SINANI