Botë

Evropa nën ombrellën e të nxehtit përvëlues, autoritetet në gatishmëri për të evituar rreziqet

17.07.2026 14:30

Një valë e fortë e të nxehtit vazhdon të përfshijë pjesë të mëdha të Evropës...

Një valë e fortë e të nxehtit vazhdon të përfshijë pjesë të mëdha të Evropës, me temperatura që në disa vende tejkalojnë 40 gradë Celsius.  Kanadaja, Spanja, Portugalia, Italia, Greqia dhe pjesë të Francës mbeten ndër vendet më të prekura nga temperaturat ekstreme. Autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për rrezik të lartë nga zjarret pyjore dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, si dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje. Në disa rajone janë regjistruar zjarre të reja, ndërsa ekipet e zjarrfikësve vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët. Temperaturat e larta kanë rritur edhe ngarkesën mbi sistemet energjetike për shkak të përdorimit të shtuar të pajisjeve për ftohje. Më shumë se 800 zjarre pyjore vazhdojnë të digjen në Kanada, ndërsa tymi i tyre ka përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në disa rajone të shtetit.
 
"Po përballemi me një periudhë të temperaturave shumë të larta. Qytetarët duhet të ndjekin rekomandimet e autoriteteve dhe të mbrojnë veçanërisht fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.", - thanë nga Shërbimi Evropian i Klimës. 
 
Meteorologët parashikojnë se vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim, ndërsa në disa zona priten temperatura rekord për këtë periudhë të vitit. Autoritetet shëndetësore vazhdojnë të bëjnë apel për kujdes të shtuar, veçanërisht për grupet më të rrezikuara. Sipas ekspertëve, valët e shpeshta të të nxehtit janë një nga pasojat më të dukshme të ndryshimeve klimatike dhe pritet të bëhen më të shpeshta dhe më intensive në vitet e ardhshme.
 
MERITA GASHI