Maqedoni

Rasti “Talir 2”, Savevski: Pretendimet e Ristoskës, pa fakte

17.07.2026 14:53

Prokuroria Publike po pret verdiktin me shkrim nga Gjykata Penale e Shkupit për rastin "Talir 2"...

Prokuroria Publike po pret verdiktin me shkrim nga Gjykata Penale e Shkupit për rastin "Talir 2", e më pas do të analizohet nëse do të paraqitet ankesë. Kritikat publike të prokurores Lençe Ristoska se heqja e autorizimeve të saj ka ndikuar në rezultatin e procesit, që solli lirimin nga akuzat të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe ngrirjen e pronës së VMRO-DPMNE-së, Këshilli i Prokurorëve Publikë i cilësoi si pretendime që nuk u përgjigjen fakteve. Nga aty sqaruan se pas dorëheqjes së saj, është marrë një vendim organizativ.
 
"Autorizimet që ishin dhënë dhe të cilat unë i tërhoqa, kishin të bënin me veprimet e prokurorëve publikë në lëndë ku ata nuk kanë kompetencë veprimi, në kuptimin që nuk janë prokurorë në atë prokurori. Prokurorja e atëhershme, Lençe Ristoska, ishte prokurore në Prokurorinë Themelore Publike Shkup. Pikërisht kjo lëndë, nëse ajo nuk do të jepte dorëheqje, do të ishte në kompetencën e saj për të vepruar.", - theksoi kryeprokurori, Nenad Savevski. 
 
Në nëntor do të skadojë mandati i shefit të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi. Që vendi të mos mbetet i zbrazët, Këshilli i Prokurorëve Publikë në gusht do të shpallë konkurs për zgjedhjen e shefit të ri.
 
"Shpallja do të bëhet pas datës 10 gusht, për arsye se, sipas ligjit, ne duhet ta publikojmë 90 ditë përpara. Duke qenë se është koha e pushimeve, ne duhet ta respektojmë ligjin dhe për këtë arsye ai vendim do të hyjë në fuqi nga 10 gushti. Do të publikohet në Gazetën Zyrtare, ashtu siç do të publikohet edhe data se kur do të duhet të votojnë të gjithë prokurorët publikë për kandidatin e Prokurorisë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pasi është e qartë se ky kandidat votohet nga të gjithë prokurorët publikë.", - theksoi kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Bashkim Besimi.
 
Paralajmërimi nga seanca e këshillit: Shtetit do t’i mungojnë 107 prokurorë publikë
 
Shtetit në pesë vitet e ardhshme do t'i mungojnë 107 prokurorë publikë, u theksua në seancën e Këshillit të Prokurorëve Publikë. Për këtë arsye, janë emëruar ushtrues detyre në vend të shefave në disa prokurori rajonale, pasi nuk ka pasur kandidatë, ndërsa ata që e kryejnë këtë funksion nuk kanë pasur përvojë të mjaftueshme për t'u bërë shefa të prokurorive në Kriva Pallankë, Shën Nikollë, Berovë dhe Resnjë.
 
ERSAN PAJAZITI