Maqedoni
Kodi Zgjedhor, partitë vazhdojnë përplasjet midis veti
17.07.2026 15:05
Përplasjet politike rreth Kodit Zgjedhor kanë vazhduar....

Përplasjet politike rreth Kodit Zgjedhor kanë vazhduar. VMRO – DPMNE pretendon se opozita refuzoi ofertën e tyre blanko vetëm për të luajtur viktimën. Kjo, sipas VMRO-së, bëhet me të vetmin qëllim, arritjen e pikëve politike.
“Refuzuan që në Kodin e ri Zgjedhor të përfshihen edhe rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it, refuzuan që vendi të ketë një njësi të vetme zgjedhore, refuzuan edhe rritjen e fondeve për reklamimin e fushatës, vetëm e vetëm që të paraqiten si viktima dhe ta përdorin këtë narrativë si alibi për zgjedhjet e ardhshme, të cilat do t’i humbasin në mënyrë historike. Gjithashtu, duke mos miratuar Kodin Zgjedhor, ata po përpiqen drejtpërdrejt të ulin suksesin e Maqedonisë në zbatimin e Agjendës së Reformave.”, - deklaroi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
Por, nga LSDM me kundër akuza se fajtor për mosdakordimin e Kodit të ri Zgjedhor janë kryeministri Hristijan Mickoski dhe partia e tij.
“VMRO-DPMNE dhe Hristijan Mickoski janë ata që po kërkojnë alibi. Ata po krijojnë artificialisht një konflikt rreth Kodit Zgjedhor. Po shohim se me qëllim po shtyjnë dispozita të diskutueshme që mundësojnë manipulim zgjedhor, për të fshehur dështimin e tyre në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe për të bllokuar plotësisht rrugën evropiane të Maqedonisë. Ata pretendojnë se Maqedonia është lidere në rajon për përmbushjen e Agjendës së Reformave, ndërsa në realitet shohim se rruga drejt Bashkimit Evropian është tërësisht e bllokuar.”, - theksoi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Pushteti dhe opozita nuk arritën të miratojnë Kodin e ri Zgjedhor deri më 15 korrik. Ndasitë i thelloi votimi diasporës në formë elektronike ose me postë, propozim i pushtetit. Partitë opozitare të ndara. Përderisa BDI u deklarua në favor të votimit elektronik të diasporës, Lidhja Shqiptare e Ziadin Selës kërkoi që çdo zgjidhje e re të vlejë për të gjitha ciklet zgjedhore. Nga ana tjetër, LSDM e kundërshtoi kategorikisht këtë propozim, duke argumentuar se votimi elektronik dhe ai me postë mund të krijojnë rrezik për manipulime. E Majta këmbënguli që prioritet t’i jepet ndryshimit të modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore.
MERAL ISMAILI
