Maqedoni
Temperaturat e larta, rritet rreziku për prishjen e ushqimeve
17.07.2026 15:18
Temperaturat e larta gjatë ditëve të fundit rrisin ndjeshëm rrezikun e prishjes së ushqimeve dhe të helmimeve ushqimore....

Temperaturat e larta gjatë ditëve të fundit rrisin ndjeshëm rrezikun e prishjes së ushqimeve dhe të helmimeve ushqimore. Ekspertët u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë blerjes, ruajtjes dhe përgatitjes së ushqimit. Mishi, peshku, produktet e qumështit, vezët dhe ushqimet e gatuara prishen shumë më shpejt kur ekspozohen në temperatura të larta. Rekomandohet të kontrollohet afati i përdorimit të produkteve, të blihen ushqime vetëm nga shitës të licencuar, të ruajnë higjienën gjatë përgatitjes së ushqimit dhe të shmangin konsumimin e produkteve që kanë ndryshuar erën, ngjyrën ose shijen. Nutricionistja Festa Murati thekson nevojën e konsumit të frutave dhe ushqimeve të përgatitura në shtëpi, ndërsa eliminimin e ushqimeve të shpejta, për të shmangur mundësitë për helmim.
“Prishja ndodh shkaku se ka rritje të baktereve. Në temperatura të larta është ambient perfekt për rritjen e tyre dhe sidomos kur janë në pyetje fëmijët, adoleshentët duhet të qëndrojnë sa më larg nga vendet ku shërbehen ushqime të shpejta. Zakonisht në ato vende ndodhin prishjet e ushqimeve të mishrave dhe sofrave të ndryshme ku nuk ruhen në temperatura të duhura ku rezulton me helmim dhe më se shpeshti me salmonelë. Ajo është baktere, e cila manifestohet me të vjella, diarre, mjekimi i së cilës bëhet me antibiotik, gjë që është e rëndë për trupin e njeriut. Do të ishte e rekomanduar që gjatë periudhës së verës me temperatura të larta të mundohemi të konsumoni ushqim kryesisht shtëpiak.”, - deklaroi nutricionistja, Festa Murati.
Edhe qytetarët vlerësojnë se kujdesi i shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta është mënyra më e mirë për të parandaluar helmimet ushqimore dhe për të mbrojtur shëndetin.
“Ato duhet t’i ruajmë dhe t’i mbajmë në vende më të ftohta. Mundohemi të kemi kujdes, sa kemi mundësi. Kur nuk kemi, nuk kemi çfarë të bëjmë. Këto kohëra janë të tilla. Momentalisht nuk kemi probleme.”, - tha një qytetar.
“I kontrollojmë dhe i pastrojmë. Kur i konsumojmë në banesë, është freskët. Për momentin gjithçka është në rregull. Kjo është temperaturë si çdo verë.”, - tha një qytetar tjetër.
“Problemi më i madh është te mishi, djathi dhe gjiza. Unë shes kumbulla dhe rrush. Është shumë nxehtë dhe malli prishet.”, - u shpreh një shitës.
“Normalisht, nëse nuk ruhen në një vend të sigurt, ushqimet prishen. Në këtë mot të nxehtë, shitësit duhet ta ruajnë mallin në kushte të përshtatshme dhe të ftohta. Sa i përket sigurisë në këtë shtet, nuk kemi asgjë të sigurt.”, - theksoi një qytetar.
Simptomat e helmimit ushqimor mund të përfshijnë të përziera, të vjella, diarre, dhimbje barku dhe temperaturë. Në rast të shfaqjes së këtyre simptomave, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, rekomandohet kërkimi i menjëhershëm i ndihmës mjekësore.
FLORIJE KAMBERI
