Gostivar, nisin hetimet për ndotjen e ujit të pijshëm
17.07.2026 15:38
Rritet numri i personave që kërkojnë ndihmë në spitalin e Gostivarit...

Rritet numri i personave që kërkojnë ndihmë në spitalin e Gostivarit, për shkak të simptomave të ujit të ndotur në qytet. Nga spitali “Dr. Ferid Murad” në Gostivar njoftojnë se për shkak të fluksit të shtuar të pacientëve rreth 1.200 pacientë, spitali ka ndërmarrë masa të menjëhershme për përforcimin e stafit mjekësor dhe organizimin e punës në repartet ku është evidentuar numri më i madh i pacientëve.
"Ju njoftojmë se gjatë 3-4 ditëve të fundit, si pasojë e përhapjes së një epidemie në rajonin e Gostivarit, në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” – Gostivar është regjistruar një rritje e konsiderueshme e numrit të pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Për shkak të fluksit të shtuar të pacientëve, spitali ka ndërmarrë masa të menjëhershme për përforcimin e stafit mjekësor dhe organizimin e punës në repartet ku është evidentuar numri më i madh i pacientëve, me qëllim që çdo qytetar të marrë shërbim sa më të shpejtë, cilësor dhe efikas. Shumica e pacientëve paraqiten me simptoma të ngjashme, si: të vjella, diarre, dhimbje barku, temperaturë të lartë, plogështi dhe simptoma të tjera gastrointestinale. Numri më i madh i pacientëve me këto simptoma është evidentuar në Repartin e Infektologjisë, Repartin e Pediatrisë dhe Njësinë e Urgjencës. Gjatë këtyre ditëve, në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” – Gostivar janë ekzaminuar rreth 1.000 - 1.200 pacientë me simptomat e lartpërmendura.", njoftojnë nga Spitali “Dr. Ferid Murad” në Gostivar.
Inspektorët e Zyrës së Jashtme për Punë Kriminalistike në Gostivar, me udhëzime të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit, kanë ndërmarrë veprime urgjente në fshatin Vrutok, për shkak të dyshimeve për ndotjen e ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Gostivarit. Sipas SPB-Tetovë, ekzistojnë dyshime se NP “Ujësjellësi”, në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit, ka vendosur tre pompa në një shtrat me ujëra të ndotura, përmes të cilave uji është injektuar në gypin kryesor të rrjetit të ujësjellësit, me gjasë për të rritur presionin në rrjet për shkak të mungesës së ujit. Rasti po hetohet nën dyshimin për kryerjen veprës penale “Ndotja e ujit të pijshëm”, sipas nenit 219 të Kodit Penal. Në hetim janë përfshirë Policia, Prokuroria Publike, Instituti i Shëndetit Publik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor, si dhe një ekspert i licencuar për vlerësimin profesional të sistemit të ujësjellësit.
“Në zonën e Prokurorisë Themelore Publike të Gostivarit po ndërmerren veprime konkrete hetimore, ku janë përfshirë të gjitha institucionet kompetente, për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një ngjarje me elemente të veprës penale apo për një rast të natyrës tjetër. Po ndërmerren veprime hetimore nga prokurori kompetent i Prokurorisë Themelore Publike të Gostivarit.”, - theksoi kryeprokurori, Nenad Saveski.
Ekspertë nga Instituti i Shëndetit Publik (IShP) tashmë kanë marrë mostra të ujit për analiza laboratorike, me qëllim verifikimin e sigurisë së tij.
FLORIJE KAMBERI
