Botë

Përshkallëzohet konflikti ShBA – Iran, tensionet rriten në Lindjen e Mesme

17.07.2026 16:16

Konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka hyrë në një fazë të re përshkallëzimi....

Konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka hyrë në një fazë të re përshkallëzimi. Gjatë natës, ushtria amerikane kreu sulme të reja ndaj objektivave ushtarake iraniane, ndërsa Teherani reagoi me sulme me raketa dhe dronë ndaj bazave amerikane dhe objektivave të aleatëve të ShBA-së në rajon. Situata ka rritur shqetësimin për përhapjen e konfliktit në Lindjen e Mesme, veçanërisht për shkak të rëndësisë strategjike të Ngushticës së Hormuzit, nga ku kalon një pjesë e konsiderueshme e tregtisë botërore të naftës. Si pasojë, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë shënuar rritje, ndërsa shtetet e rajonit kanë shtuar masat e sigurisë.
 
Situata mbetet dinamike dhe autoritetet në të dyja vendet kanë paralajmëruar se operacionet ushtarake janë ende në zhvillim, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vazhdon përpjekjet diplomatike për të shmangur zgjerimin e konfliktit. Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se operacionet ushtarake do të vazhdojnë derisa të eliminohen, sipas tij, kërcënimet ndaj forcave amerikane dhe lundrimit ndërkombëtar.
 
"Operacionet tona do të vazhdojnë derisa kërcënimet ndaj forcave amerikane dhe lirisë së lundrimit të neutralizohen. Ne nuk kërkojmë luftë, por do t'i përgjigjemi çdo sulmi.", - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane paralajmëruan se do t'i përgjigjen çdo veprimi ushtarak dhe se, nëse sulmet vazhdojnë, reagimi i tyre do të zgjerohet.
 
"Nëse agresioni vazhdon, përgjigja e Republikës Islamike do të jetë vendimtare dhe do të përfshijë objektiva të tjerë në rajon.", - u shpreh zëdhënësi ushtarak iranian, Ebrahim Zolfaghari. 
 
Ndërkombëtarët: Të ulen tensionet
 
Ndërkohë, Organizata e Kombeve të Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe një numër shtetesh kanë bërë thirrje për përmbajtje dhe rikthim në dialog, duke paralajmëruar se përshkallëzimi i mëtejshëm mund të ketë pasoja serioze për sigurinë rajonale dhe ekonominë globale.
 
MERITA GASHI