Kodi zgjedhor, peng i pazareve politike

18.07.2026 14:57

Bisedime intensive, asnjë kompromis...

Bisedime intensive, asnjë kompromis. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, detyrimi i fundit nga dhjetë reformat e Agjendës Reformuese, nuk u miratuan brenda afatit që skadoi më 15 korrik në mesnatë. 

Teksti i ndryshimeve fillimisht ishte harmonizuar në grupin e punës ndërpartiak, të formuar më 3 mars, mbi bazën e dokumentit të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë. 
 
Por harmonizimi teknik nuk u përkthye kurrë në konsensus politik. 
 
Në tryezën e negociatave qëndruan katër çështje kyçe: numri i njësive zgjedhore, modeli i financimit të fushatave, administrimi i ankesave dhe votimi i diasporës. 
 
Për tri të parat, shumica qeverisëse deklaroi gatishmëri të plotë për lëshime. 
 
Presioni kishte nisur një javë më parë, kur komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi në Shkup se vendi ka përmbushur 90 përqind të reformave dhe se 10 përqindëshi i mbetur është pikërisht Kodi Zgjedhor. 
 
Ajo u bëri thirrje partive për konsensus ndërpartiak. 
 
Thirrjes së saj iu bashkua edhe ambasadori evropian Michalis Rokas. 
 
Por në terren, pozicionet nuk lëvizën. VMRO-DPMNE deklaroi se pranon çdo variant të harmonizuar nga opozita, me një kusht të vetëm, votimin e lehtësuar të diasporës, në mënyrë elektronike ose me postë. 
 
Pikërisht kjo pikë i ndau partitë në mënyrë të papajtueshme. 
 
LSDM e cilësoi votimin elektronik dhe postar pa verifikim të rreptë institucional si "grabitje zgjedhore", me argumentin se nuk garantohet as identiteti i votuesit, as sekreti i votës. 
 
E Majta shtoi se votimi elektronik i diasporës nuk figuron askund në rekomandimet e ODIHR-it dhe këmbënguli në kërkesat e veta, një njësi zgjedhore dhe heqjen e reklamimit të paguar politik, të cilat sipas saj u refuzuan.
 
Të ndara mbetën edhe partitë shqiptare. Qëndrimi i tyre i përbashkët është se diaspora duhet të votojë. Por rrugët ndahen te modeli. 
 
BDI vendosi si kusht që vendimet në Komisionin Shtetëror Zgjedhor të merren me konsensus, kërkesë që pushteti e refuzoi si përpjekje për bllokim. 
 
Lidhja Shqiptare e Ziadin Selës dorëzoi amendamente që kërkojnë votën e diasporës edhe në zgjedhjet lokale, jo vetëm në ato presidenciale e parlamentare, dhe u shpreh kundër modelit me një njësi zgjedhore.
 
Në Kuvend, mosmarrëveshja mori formën e filibasteringut. LSDM dorëzoi rreth 10 mijë amendamente, e Majta edhe 3 mijë e 500 të tjera, duke e paralizuar plotësisht procedurën. 
 
Ditën e fundit të afatit, kryeministri Hristijan Mickoski e pranoi hapur se nuk priste marrëveshje. Gjatë vizitës në komunën e Sarajit, ai deklaroi se nuk është optimist, duke i quajtur politikanët e opozitës "të papërgjegjshëm dhe të papjekur", dhe i ftoi kryetarët e BDI-së, LSDM-së, të Majtës dhe krahët e Ziadin Selës e Arben Taravarit të harmonizojnë një qëndrim të përbashkët.
 
Afati skadoi pa asnjë lëvizje. 
 
Me këtë, Maqedonia e Veriut ia dorëzoi Komisionit Evropian raportin për reformat me nëntë nga dhjetë detyrime të përmbushura, duke humbur 4.2 milionë euro të parapara si shpërblim për reformën zgjedhore. 
 
Shumica qeverisëse ia hedh përgjegjësinë opozitës, opozita flet për një ligj të hartuar sipas interesave të pushtetit. Kodi Zgjedhor, i ndryshuar mbi 30 herë në dy dekada, mbetet edhe një herë peng i llogarive partiake. (Ersan Pajaziti, TVM2)