Raporti i KE-së, LSDM: Pushteti ushtron trysni ndaj Gjyqsorit

18.07.2026 16:35

LSDM vlerëson se trysnia e pushtetit ndaj gjyqësorit...

LSDM vlerëson se trysnia e pushtetit ndaj gjyqësorit është nënvizuar edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian. Nga partija e Filipçes thonë se në raport thuhet se nuk ka reforma por vetëm korrupsion i gjerë dhe tenderë problematik.

Zëdhënësja Bogdanka Kuzeska rendit disa raste të ndërhyrjes dhe trysnisë politike në gjyqësor, emrimet e njerëzve të afërm të partisë së Mickoskit me qëllimin e qartë: të pengohet gjyqësori dhe prokuroria e pavarur, të mbrohen kriminelët dhe të vazhdojë pandëshkueshmëria.

“Komisioni Evropian e riktheu për rishikim ligjin për Prokurorinë e Lartë, pasi ai nuk përputhet me rekomandimet dhe nuk garanton pavarësi. Shfajësimi i Nikolla Gruevskit dhe kthimi VMRO-së  "Pallatin e Bardhë" – një pasuri e përfituar përmes veprimtarisë kriminale, është shembulli më i drejtpërdrejtë i mbrojtjes së krimit. Shfajësimi i Dragan Pavlloviq Llatasit, figurës kryesore mediatike të Mickoskit, shërben si dëshmi e mëtejshme se drejtësia zbatohet në mënyrë selektive, bazuar në afërsinë e individit me Kryeministrin.” – tha Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.

Komisioni Evropian paralajmëron qartë se amendamentet në Kodin Penal po krijojnë sërish hapësirë për pandëshkueshmëri, se ka ndërhyrje dhe presion ndaj gjyqësorit nga ana e zyrtarëve qeveritarë dhe se procesi i reformës në drejtësi po rrezikohet nga ndikimi politik.

Mickoski: S’ka më shumë para për Gjykatës dhe Prokuror

Kryeministri Hristijan Mickoski duke komentuar raportin tha se nuk është raport i rregullt për vendet kandidate dhe nuk është raport për përparimin e vendit.

Mickoski tha se raporti është më i miri deri më tani edhe pse ka vërejtje sikurse trysnia e politikanëve ndaj gjyqësorit, kërkohet më shumë para për prokurorët dhe gjykatësit ndërkohë që jepen kritika për punën e këtyre të fundit.

Mickoski kërkoi nga prokurorët më shumë drejtësi.

“Më shumë para nuk do të marrin edhe pse kjo kërkohet në ligjin për prokurorë publik. Nuk do ti marrin pasiqë nuk i kanë merituar, pasiqë presim se do ta sjellin drejtësinë. Gjithçka që kërkuan në pjesën e punësimeve, pavarësi e kështu me rradhë, e fituan. Thjesht para më shumë nuk ka.” – deklaroi Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Raporti i një dite më parë nënvizoi edhe rrënien shtesë të besimit në gjyqësor. Gjatë vitit 2026-të 21% të qytetarëe konsiderojnë se pavarësia e gjykatave është tejet e mirë, përderisa një vit më parë besueshmëria e qytetarëve arrinte në 28%. (Meral Ismaili, TVM2)