Epidemia në Gostivar, shkaktari akoma s’dihet, rritet numri i pacientëve

18.07.2026 16:36

Dhimbjet e barkut, të vjellat dhe temperatura...

Dhimbjet e barkut, të vjellat dhe temperatura te banorët e Gostivarit vazhdojnë të shqetësojnë opinionin publik, ndërsa institucionet ende janë në pritje të rezultateve të analizave laboratorike.

Çdo ditë mbi 200 qytetarë kërkojnë ndihmë në spital. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 100 intervenime në repartin e Pediatrisë dhe 160 në Repartin Infektiv.

Pjesa më e madhe e pacientëve trajtohen për dehidrim dhe më pas lirohen për mjekim në shtëpi. Aktualisht vetëm tre fëmijë do të mbahen 24 orë nën vëzhgim.

Ministri i Shendetësisë Sasho Klekovski, tha se punonjësit shëndetësorë në Gostivar po përballojnë me sukses këtë situatë. Klekovski me gjasë të madhe përjashton mundësinë që fajtore në këtë rast të jetë ushqimi.

Pacientët e parë me këto simptome janë paraqitur gjatë natës së 13 korrikut.

“Për mua, logjikisht ushqimi përjashtohet si burim i mundshëm, sepse kanë kaluar shumë ditë dhe bëhet fjalë për shumë lokacione të ndryshme që të gjithë të kenë ngrënë të njëjtin ushqim. E dimë se helmimet nga ushqimi zakonisht lidhen me produkte ku përdoren vezë të gjalla, si majoneza, akullorja dhe produkte të ngjashme. Prandaj është e pamundur që të gjithë këta pacientë të kenë ngrënë akullore nga e njëjta ëmbëltore për katër ditë.” - u shpreh Ministri i Shë ndetë sisë , Sasho Klekovski

“Pasqyra e gjakut tregon se bëhet fjalë për një infeksion akut, për të cilin ende askush nuk e di shkaktarin. Unë mendoj se dje dhe sot ishte kulmi i infeksionit. Do të shohim ditët në vijim si do të jetë situata.” – u shpreh Drejtori i Spitalit “D.R Ferid Murad”, Emri Bajrami.

Kompetentët u bënë thirrje qytetarëve që t'u përgjigjen anketave epidemiologjike për të pasur një pasqyrë sa më të saktë të asaj që po ndodh.

“Nga 19 anketat epidemiologjike ka pacientë që nuk kanë përdorur ujë nga ujësjellësi i qytetit, prandaj duhet të fokusohemi në gjetjen e shkaktarit. Ne duhet ta gjejmë shkaktarin dhe nuk mund të flasim me hamendje se është nga kjo apo ajo. Që të kemi një rezultat të plotë, është shumë e rëndësishme të realizohen anketat epidemiologjike. Prandaj u bëjmë thirrje të gjithë pacientëve që kërkojnë ndihmë në spital, që pas trajtimit, në Qendrën për Shëndet Publik, e cila ndodhet menjëherë pranë Repartit Infektiv, të plotësojnë anketën te epidemiologët.” – deklaroi Drejtori i Qendrës për Shëndet Publik-Gostivar, Shaqir Zylbeari.

Qytetarët mbeten në pritje të përgjigjeve konkrete për shkaqet që çuan në numrin e madh të të prekurve.

“Ka temperaturë, vjell, njësoj si të gjithë. E gjithë familja.”

“Sinqerisht, edhe ne si qytetarë jemi të shqetësuar nga e gjithë kjo situatë, nëse bëhet fjalë për ujin apo jo. Si gostivaras mund të them dhe të dëshmoj se prej vitesh, gjatë periudhës së verës, rritet numri i njerëzve që ankohen për probleme me stomakun dhe për këtë që po ndodh, por shifra të tilla nuk kemi dëgjuar asnjëherë. Duke e ditur se Gostivari nuk ka stacion filtrimi, gjithçka lidhet me ujin. Do të ishte për të ardhur keq nëse dikush sillet kaq në mënyrë të papërgjegjshme me shëndetin tonë.” – u shprehë n disa nga qytetarë t e anketuar nga TVM2.

Shkalla e kontrolleve, e kërkuar nga Prokuroria, është zgjeruar, prandaj rezultatet pritet të bëhen të ditura deri të hënën. Me urdhër të Prokurorisë Publike në Gostivar, Qendra për Shëndet Publik dhe Instituti për Shëndet Publik kanë marrë mostra të ujit ndërsa po hetohen edhe mundësi të tjera.

Në pjesën epidemiologjike janë përfshirë më shumë institucione dhe po zhvillohen hetime të llojeve të ndryshme për të përjashtuar të gjitha mundësitë, përfshirë metalet e rënda, parazitët, viruset dhe bakteret. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)