VMRO-DPMNE: LSDM, “E majta” dhe BDI pengojnë Kodin zgjedhor
Përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski...

Përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski, akuzoi LSDM-në, Levicën dhe BDI-në se kanë braktisur marrëveshjen për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe se politika e tyre është ajo e bllokadave.
Sipas tij, kërkesat e opozitës janë pranuar gjatë procesit të negociatave, por mungoi përgjegjësia në momentin e votimit.
Manasievski vlerësoi se kundërshtimi nuk lidhet me ligjin zgjedhor, por me përpjekjen për të penguar reformat e qeverisë.
“LSD, Levica dhe BDI kanë treguar edhe një herë se politika e tyre e vetme është politika e bllokadave. Ata u ulën në takime pune për muaj të tërë, duke propozuar ndryshime, duke kërkuar korrigjime dhe kërkesat e tyre u pranuan. Kur erdhi koha për të nënshkruar dhe për të treguar përgjegjësi, ata ikën nga marrëveshja e tyre.Kjo tregon më së miri se problemi nuk ishte kurrë Kodi Zgjedhor. Problemi është se LSD, Levica dhe BDI nuk mund ta durojnë një tjetër sukses reformash për Maqedoninë. Duke vepruar kështu, ata pranuan se nuk po luftojnë për një Kod Zgjedhor më të mirë. Ata po luftojnë kundër çdo zgjidhjeje që do të thotë përparim dhe sukses për vendin”. – tha Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE
LSDM: Akuzat për bllokim, gënjeshtër
Ndërkohë sipas LSDM-së nëse reformat janë zbatuar vërtet, atëherë të gjitha akuzat e mëparshme kundër opozitës se po bllokon Kodin Zgjedhor dhe në këtë mënyrë po pengon reformat janë gënjeshtra.
“Nëse reformat janë zbatuar vërtet, atëherë të gjitha akuzat e mëparshme kundër opozitës se ajo po bllokon Kodin Zgjedhor dhe kështu po pengon reformat ishin një gënjeshtër e thjeshtë. Muaj më parë, VMRO-OKG pretendoi se pa Kodin Zgjedhor, Agjenda e reformave nuk mund të përfundohej. Afati i 1 qershorit ka kaluar prej kohësh. Reformat nuk janë zbatuar. Ligjet kryesore ose nuk janë miratuar, ose janë kthyer nga Evropa për punë të mëtejshme” - thuhet në kumtesën e LSDM-së.
