Baku 2015: Nestorovski sjell një tjetër medalje për Maqedoninë, kosovari Karaqi i katërti
Pas medaljes së bronztë të cilën ia solli vendin tonë gjatë ditës së djeshme Emill Pavllov, një tjetër e këtillë për Maqedoninë erdhi sërish nga sporti i karatesë...

Kësaj rradhe ishte Martin Nestorovski ai i cili u kurorëzua me medalje bronzi, në kategorinë mbi 84 kilogram.
Shkupjani 26 vjeçar, në luftën për plasman në pozitën e tretë, ishte më I sukseshëm se sërbi Sllobodan Biteviç, të cilin e mundi me 5-3 në pikë.
Paraprakisht, Nestorovski, në gjysëmfinale u mposhtë me 5-0 nga gjermani Horne, ndërsa në fazën grupore, kishte një fitore ndaj vendasit Atamov, një barazim me grekun Margaritopoulus si dhe një humbje, nga kampioni I kësaj kategorie, turku Enes Erkan.
Nga ana tjetër, Alvin Karaqi ishte shumë afër që në paraqitjen debutuese për Kosovën në Lojërat Europiane të sjellë edhe medaljen e parë, por nuk ia doli duke humbur luftën për medaljen e bronztë thjeshtë në sekondat e fundit.
Në kategorinë deri në 84 kilogram, turku Ugur Aktash, të cilin Karaqi e mundi pa probleme në fazën grupore, ishte ai që mposhti karateistin kosovar. E gjithë kjo pasi 22 vjeçari në gjysëmfinale ishte mundur nga vendasi dhe fituesi i kësaj kategorie, Mamayev.
Karaqi, në fazën grupore ishte I shkëlqyeshëm duke regjistruar tre fitore bindëse, ndaj turkut Aktash, italianit Maestri dhe polaku Varda, por më pas nuk pati fat dhe mbeti pa fituar së paku medaljen e bronztë. (Mustafa Ademi, TVM2)
