Gostivar, 24 orët e fundit mbi 300 pacientë kërkuan ndihmë
Mbi 300 pacientë të rinj kanë kërkuar ndihmë mjekësore...

Mbi 300 pacientë të rinj kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjatë 24 orëve të fundit në në spitalin e Gostivarit për shkak të simptomave gastrointestinale që po shfaqen në numër të madh.
Pacientët paraqiten kryesisht me diarre, të vjella, temperaturë, plogështi dhe humbje oreksi. Autoritetet shëndetësore ende nuk kanë konfirmuar shkakun e kësaj gjendjeje, ndërsa po hetohet nëse bëhet fjalë për helmim nga uji i pijshëm apo për një virus.
“Në repartin infektiv deri më tani ndihmë kanë kërkuar rreth 204 pacientë të gjithë këta pacientë janë me simtoma të vjelljes dhe diaresë, tre nga këta pacientë janë të hospitalizuar. Në repartin e pediatrisë, ndihmë kanë kërkuar rreth 145 fëmijë prej të cilëve 35 kanë qenë kontrollë ndërsa rreth 105 pacientë kanë qenë si raste të reja. Në repartin e urgjencës poashtu ndihmë kanë kërkuar rreth 9 pacientë dhe të gjithë këta janë me simtopma të njejta. Epidemiologët janë të gjithë të angazhuar në teren, ku janë të angazhuar edhe epidemiologët e endrës së Tetovës ku janë duke i zhvilluar anketat epidemiologjike, sot e diel anketimi vazhdon, d.m.th janë 24 orë.” – tha Shaqir Zulbehari nga Qendra e Shëndetit Publik – Tetovë.
Nga Shërbimi i Ndihmës së Shpejtë bëjnë të ditur se, megjithëse shumica e pacientëve me këto simptoma kanë deklaruar se kanë konsumuar ujë nga ujësjellësi, ka edhe raste të pacientëve që thonë se nuk e kanë përdorur atë.
Rezultatet zyrtare të analizave pritet të përcaktojnë shkakun e saktë të kësaj situate. Nga Shërbimi i Ndihmës së Shpejtë në Gostivar theksojnë se një numër kaq i madh i pacientëve nuk është karakteristik për këtë periudhë të vitit
“Kemi terapi të mjaftueshme, por ka edhe pacientë me simptomatologji më të rëndë, të cilët i dërgojmë në Spitalin e Përgjithshëm. Kryesisht pacientët thonë se kanë konsumuar ujë nga ujësjellësi, megjithatë ka edhe pacientë që nuk kanë konsumuar fare ujë nga ujësjellësi i qytetit, por blejnë ujë në markete dhe burime të ngjashme. Megjithatë, pjesa më e madhe kanë konsumuar ujë nga ujësjellësi.” – u shpreh Marjan Siljanovski nga Shërbimi i Ndihmës së Shpejtë.
Prokuroria Themelore Publike: Rezultatet të hënën, i dorëzohen Prokurorisë
Prokuroria Publike Themelore e Gostivarit njofton se është në koordinim të vazhdueshëm me Institutin e Shëndetit Publik, ku me urdhër të prokurorit publik po kryhen analizat dhe ekzaminimet e cilësisë së mostrave të ujit nga ujësjellësi i Gostivarit.
Sipas njoftimeve, rezultatet pritet të jenë gati të hënën dhe t'i dorëzohen prokurorisë kompetente.
"Sipas njoftimeve, rezultatet pritet të jenë gati nesër dhe t'i dorëzohen prokurorisë kompetente, pas së cilës do të merret vendim për ecurinë e mëtejshme të procedurës, ndërsa publiku do të njoftohet. Ndërkohë, me urdhër të prokurorit publik, lokacioni në Vrutok vazhdon të jetë i siguruar."- thonë nga Prokuroria Themelore Publike.
Gjatë ditës së djeshmë autoritet i ulën gjasat që helmimi të ketë ndodhur nga ushqimi. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
