Rruga Tetovë–Prizren, autoritetet po finalizojnë projektimin e tunelit
Projekti për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren...

Projekti për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren në territorin e Republikës së Kosovës po avancon, ndërsa në anën e Maqedonisë së Veriut aktualisht po punohet në projektimin e tunelit kufitar, i cili pritet të jetë më i gjati në vend.
Sipas ministrit të transportit, Aleksandar Nikollovski, pas përfundimit të dokumentacionit teknik dhe përcaktimit të kostos së projektit do të sigurohen mjetet financiare, për të nisur më pas punimet në terren.
“Fakulteti i Ndërtimtarisë, i cili ka përfunduar projektin bazë për anën tonë të projektit, ka kërkuar informacione shtesë për gjatësinë e tunelit dhe pikën e lidhjes. Ne do t’i dorëzojmë ato informacione. Duke pasur parasysh se do të kemi një tunel mjaft të gjatë, i cili pritet të jetë tuneli më i gjatë në shtet, aktualisht po punohet në projektimin e tij. Tunelet janë projekte me kompleksitet të lartë inxhinierik dhe, sapo të përfundojë projektimi i tunelit, do ta dimë koston e saktë. Më pas do të fillojmë sigurimin e fondeve, pas së cilës do të nisim punimet.” – tha Ministri i Transportit, Aleksander Nikollovski.
Punimet në territorin e Komunës së Tetovës kanë nisur me ndërtimin e qarkores mbi fshatin Shipkovicë, e cila, sipas autoriteteve lokale, do të jetë pjesë e traseut të ardhshëm të rrugës Tetovë–Prizren.
“Bëhet fjalë për një projekt mbarëkombëtar, por edhe shtetëror. Një segment i rëndësishëm i trasesë së këtij projekti kalon nëpër territorin e Komunës së Tetovës. Duke marrë parasysh faktin se kjo rrugë kalon përmes fshatit Shipkovicë, ne si komunë jemi të përfshirë në ndërtimin e qarkores mbi fshatin Shipkovicë, e cila do të jetë segment i rrugës Tetovë–Prizren. Tuneli, sigurisht, do të financohet me mjete shtetërore nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në bashkëfinancim me Qeverinë e Kosovës.” – u shpreh Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Projekti është shoqëruar edhe me reagime politike. Dega e BDI-së në Tetovë ka akuzuar se trasa e paraparë e rrugës Tetovë-Prizren është devijuar nga plani fillestar. Sipas tyre, Komuna e Tetovës ka nisur punimet për qarkoren mbi Shipkovicë pa u prezantuar një projekt përfundimtar dhe pa përfunduar procedurat e shpronësimit të tokave.
Nga Komuna e Tetovës, ndërkaq, insistojnë se punimet janë pjesë e projektit të përgjithshëm për realizimin e rrugës Tetovë-Prizren. (Visar Sadiku, TVM2)
