Ngecja e reformave, VMRO-DPMNE akuzon opozitën për dështime

19.07.2026 17:27

Përplasjet ndër partiake rreth ngecjeve reformuese...

Përplasjet ndër partiake rreth ngecjeve reformuese të vendit dhe kritikave të përmbledhura me raportin e Komisionit Evropian kanë vazhduar. VMRO-DPMNE vlerëson se dështimi i vendit në përmbushjen e reformave është meritë e opozitës, LSDM, “E Majta” dhe BDI.

“Problemi me këtë treshe është se ata nuk mund ta përballojnë një tjetër sukses reformash për Maqedoninë; prandaj e bllokojnë progresin sa herë që kanë mundësi. Edhe pse të gjitha kërkesat e tyre - të cilat ishin gjithçka përveçse thelbësore - u pranuan, ata e refuzuan marrëveshjen sepse nuk mund ta pranonin që Maqedonia të arrinte edhe një tjetër sukses reformash. Duke vepruar kështu, ata dërguan një mesazh të qartë: për ta, nuk ka rëndësi nëse shteti i përmbush detyrimet e tij për reforma, por nëse ata mund të nxjerrin përfitim politik nga çdo pengesë.” – deklaroi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.

LSDM: Raporti i KE-së adreson pushtetin

Nga LSDM me kundër akuza se mungesa e reformave dhe trysnia ndaj Gjyqësorit dhe Prokurorisë është faj i pushtetit. Kjo sipas tyre është konfirmuar edhe në raportin e Komisionit Evropian duke i dhënë kartonin e kuq qeverisjes Mickoski.

“Ky është një vlerësim evropian për gjyqësorin i mbajtur peng nën sundimin e VMRO-së dhe një konfirmim i gjithçkaje që LSDM-ja ka thënë prej muajsh. Nuk ka reforma. Nuk ka gjyqësor të pavarur. Nuk ka drejtësi. Përkundrazi, ka presion politik, gjyqësor të kontrolluar dhe përpjekje për të mbrojtur krimin e për të mbajtur gjallë pandëshkueshmërinë. Kjo është arsyeja pse VMRO-ja po e zvarrit qëllimisht procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.” – tha Aleksandar Naumovski nga rradhët e LSDM.

Dy ditë më parë Komisioni Evropian publikoi raportin për Maqedoninë. Në të midis tjerash kritikohej gjyqësori, i ndikuar nga politika, ngecje reformash, korrupsion i gjerë dhe tender problematik.

Kryeministri Mickoski theksoi se në raport kërkohet më shumë para për prokurorët dhe gjykatësit që sipas tij nuk do të ketë përderisa ata nuk ndajnë drejtësinë në vend. (Meral Ismaili, TVM2)