Moti, nga e mërkura ulje të temperaturave

19.07.2026 17:34

Vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe gjatë dy ditëve...

Vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe gjatë dy ditëve të para të javës së ardhshme, ndërsa të hënën në jug të Luginës së Vardarit temperatura mund të arrijë deri në 40 gradë Celsius, njoftojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.

Gjatë pasditeve dhe mbrëmjeve të së hënës dhe të martës do të ketë zhvillim lokal të stuhive me shi të rrëmbyeshëm, bubullima, erë të fortë dhe në disa zona edhe breshër. Ndryshim i motit pritet nga e mërkura, reshje shiu priten edhe të premten, ku temperaturat ditore do të zbresin ndjeshëm dhe do të sillen rreth 25–26 gradë Celsius.

“Gjatë ditës së nesërme pritet që në disa vende temperatura ditore të arrijë deri në 40 gradë, veçanërisht në pjesët jugore të luginës së Vardarit. Në orët e pasdites dhe të mbrëmjes gjatë dy ditëve të ardhshme do të ketë paqëndrueshmëri lokale me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë, ndërsa në disa vende do të ketë kushte për mot të lig me breshër. Ndryshim i motit pritet nga e mërkura dhe në ditët në vijim, për shkak të depërtimit të ajrit më të ftohtë nga veriu dhe erës së përforcuar veriore, e cila do të jetë më e theksuar të mërkurën. Temperaturat do të jenë në rënie. Reshje shiu priten edhe të premten, në disa vende më të dendura, ndërsa temperaturat ditore do të jenë dukshëm më të ulëta krahasuar me këto ditë, duke arritur rreth 25–26 gradë Celsius.” – tha Juliana Fidanovska Mishkovska nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.

Në orët e pasdites pritet paraqitje e paqëndrueshmërisë lokale, e shoqëruar me reshje të rrëmbyeshme shiu dhe bubullima, kryesisht në pjesët juglindore të vendit.

Kushte për reshje afatshkurtra dhe bubullima do të ketë edhe në disa pjesë të Shkupit. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)