Ukrainë, sulme të reja mbi Kievin, qytetarët në protestë

19.07.2026 19:12

Një person ka humbur jetën...

Një person ka humbur jetën, ndërsa tetë të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi rus me raketa balistike mbi Kievin gjatë natës. Presidenti ukrainas Volodymir Zelenski konfirmoi se dje Ukraina goditi logjistikën ruse dhe objektet për prodhimin e armëve në një operacion të madh, duke premtuar se do të pasojnë edhe sulme të tjera. Zyrtarët rusë deklaruan se nga sulmet kanë humbur jetën nëntë persona, ndërsa mbi 80 të tjerë janë plagosur.

“Me sukses u goditën objektiva pranë Moskës, si dhe në rajonin e Tambovit. Këto ishin pjesë të logjistikës ruse, përfshirë magazina që furnizonin pajisje për luftën, sisteme navigimi, komponentë për prodhimin e dronëve dhe materiale të tjera për ushtrinë ruse. Armët ukrainase goditën gjithashtu një tjetër objekt nafte dhe objektiva në ujërat e Detit Azov dhe Detit të Zi. Ky ishte një operacion i rëndësishëm. Do të ketë edhe të tjerë. Do të kemi më shumë mundësi për sulme me rreze të mesme.” – tha Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Ndëkohë, mijëra qytetarë dolën sërish në protestë në Kiev, duke kërkuar që presidenti ukrainas të shkarkojë komandantin suprem të forcave të armatosura, Oleksandr Sirski, pas vendimit për shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes, Mikhailo Fedorov.

Fedorov kishte vetëm gjashtë muaj në postin e ministrit të Mbrojtjes, por një pjesë e madhe e opinionit publik e konsideron atë si nismëtar të reformave dhe simbol të modernizimit të ushtrisë ukrainase, me të cilin u përmirësuan rezultatet në front.

“Duam të arrijmë ndryshimin e vendimit për shkarkimin e z. Fedorov. Ai është shpresa jonë. Gjatë mandatit të tij pamë shumë ndryshime të mëdha. Inovacioni ka përparësi, njerëzit nuk duhet të vdesin.”

“Kjo është e rëndësishme sepse është e rëndësishme për shtetin, për ne, për të ardhmen tonë, sepse ndryshime të tilla të njëanshme dhe lëvizje kadrovike janë të papranueshme.”

“Gjithmonë ka shpresë, duhet të ketë. Ne do të vazhdojmë të dalim. Ukrainasit panë se, në fund të fundit, me Fedorovin u shfaq njëfarë shprese.” – thanë disa nga protestuesit në qytetin e Kievit.

Sipas Zelenskit, arsyeja e shkarkimit të ministrit ishte konflikti i thellë mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm.

“Pata një bisedë të gjatë me Mikhailo Fedorovin. Bisedova edhe me Oleksandr Sirskin. Vendimet lidhur me ushtrinë do të merren. Falënderoj të gjithë ata që kujdesen për Ukrainën. Falënderoj të gjithë ata që mbrojnë pozicionet tona në front dhe të gjithë ata që punojnë për ta kthyer luftën në Rusi në vendin nga ku filloi kjo luftë.” – u shpreh Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Marrëdhëniet mes 35-vjeçarit Fedorov dhe komandantit 60-vjeçar të forcave të armatosura të Ukrainës, gjeneralit Sirski, ishin përkeqësuar, duke e bërë të paqëndrueshëm pozicionin e ministrit. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)