Tre personat e zhdukur nga Kosova, gjenden të vdekur afër kufirit të Bllacës!

20.07.2026 01:24

Tre personat e raportuar të zhdukur gjatë ditës së diel...

Tre personat e raportuar të zhdukur gjatë ditës së diel, janë gjetur pa shenja jete, bëjnë të ditur nga MPB-ja.

Bëhet fjalë për tre shtetas të Kosovës, Ejup Tërnavën, Cennet Tërnavën dhe Fatmire Shabanin, të cilët ishin nisur nga Aeroporti i Shkupit drejt Kosovës.

“Më 19.07.2026, në ora 22:35, në SPB Shkup është raportuar se në rrugën nga Pikëkalimi Kufitar Bllacë drejt Shkupit ndodhet një automjet i përmbysur i markës “Mercedes” me targa gjermane. Menjëherë në vendin e ngjarjes janë dërguar zyrtarë policorë, të cilët kanë konstatuar se në automjet ndodheshin tre persona të vdekur (një mashkull dhe dy femra). Vdekjen e ka konstatuar një mjek nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore. Më herët, në ora 13:40, në Stacionin Policor Bit Pazar, një shtetas i Kosovës kishte raportuar se tre persona ishin zhdukur. Kontakti i fundit me ta kishte qenë më 18.07.2026, rreth orës 22:15, kur ata ndodheshin në aeroportin e Shkupit”, - thuhet në njoftimin e MPB-së.