Reagimet pas botërorit, Skaloni paralajmëron largimin

20.07.2026 13:49

Scaloni deklaroi pas humbjes në finale se ka gjasa të largohet nga posti i trajnerit kur t'i skadojë kontrata në dhjetor....

Përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni, deklaroi pas humbjes në finale se ka gjasa të largohet nga posti i trajnerit kur t'i skadojë kontrata në dhjetor.
 
“Ëndrra e çdo trajneri është të jetë në këtë pozitë. Deri në fund dhamë maksimumin, si stafi ashtu edhe lojtarët. Mendoj se kam të drejtë të marr pak kohë për të reflektuar. Ky është një vend i mrekullueshëm, për të cilin nuk kam guxuar të ëndërroj kurrë.”, tha Lionel Saloni, trajner i Argjentinës.
 
Ai mori drejtimin e Argjentinës në verën e vitit 2018 dhe në 104 ndeshje regjistroi 80 fitore, 14 barazime dhe 10 humbje. Gjatë mandatit të tij fitoi Kupën e Botës 2022 dhe Copa America në vitet 2021 dhe 2024.
 
De la Fuente: Kjo gjeneratë është krenaria e Spanjës
 
Përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, nuk e fshehu emocionin pas triumfit në finalen kundër Argjentinës. Ai shtoi se skuadra ka fituar gjithçka që ishte e mundur dhe se kjo gjeneratë do të mbetet krenaria e futbollit spanjoll.
 
“Jam shumë krenar për këtë brez lojtarësh. Ata u rritën me një ide të caktuar për lojën dhe e kanë përmirësuar vazhdimisht. Kanë talent të jashtëzakonshëm dhe jam krenar që kam qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Këta futbollistë janë shembull për sportin spanjoll, për të rinjtë dhe për të gjithë Spanjën. Së bashku jemi më të fortë dhe këtë nuk do ta harrojmë kurrë.”, tha Luis de la Fuente, trajner i Spanjës.
 
Infantino: Botërori 2026 theu çdo rekord
 
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e cilësoi Kupën e Botës 2026 si më të suksesshmen në histori. Infantino shtoi se Botërori tregoi edhe një herë fuqinë e futbollit për të bashkuar njerëzit. 
 
“Ky Botëror jo vetëm që theu rekordet, por i shkatërroi ato. Në stadiume pati pothuajse shtatë milionë spektatorë, ndërsa mbi gjashtë miliardë njerëz e ndoqën turneun në mbarë botën. Botërori tregoi edhe një herë fuqinë e futbollit për të bashkuar njerëzit. Pavarësisht sfidave në botë, Kupa e Botës tregoi se futbolli bashkon njerëzit në gëzim dhe paqe. Turneu ishte i jashtëzakonshëm dhe jam i bindur se Botërori i vitit 2030 do të jetë po aq spektakolar.”, tha Giani Infantino, president i FIFA-së.
 
Në këtë botëror u shënuan më shumë se 300 gola, mesatarisht pothuajse tre për ndeshje. Spanja për titullin kampion bote morri cmimin prej 51 milion dollar, ndërsa Argjentina si nënkampione mori 34 milion dollar. (Gazetar: Safet Ademi)