Maqedoni
Dhuna në familje, është rritur numri i rasteve të dhunës në familje, kërkohet më shumë staf dhe ndryshime ligjore
20.07.2026 14:24
Numri i rasteve të dhunës në familje është në rritje...

Numri i rasteve të dhunës në familje është në rritje, ndërsa institucionet që merren me mbrojtjen e viktimave përballen me mungesë të theksuar të kuadrit dhe kërkojnë përmirësime ligjore e institucionale. Këto ishin disa nga konstatimet në mbikëqyrjen parlamentare kushtuar zbatimit të ligjeve dhe politikave për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje.
Koordinatorja e shërbimeve sociale në Qendrën për Punë Sociale të Qytetit të Shkupit, Verica Deleva, tha se dukshëm është rritur numri i rasteve të paraqitura për dhunë në familje, ndërsa në nivel vjetor mungojnë 137 vende pune.
“Gjatë vitit 2026 është rritur numri i kallëzimeve për mbrojtje nga dhuna në familje. Në vitin 2025, në Qendrën për Punë Sociale të Qytetit të Shkupit janë zhvilluar 730 procedura, ndërsa nga 1 janari deri më 30 qershor 2026 ky numër është rritur në 882 procedura për mbrojtje nga dhuna në familje. Bëhet fjalë për procedura që janë në zhvillim. Sa i përket numrit të të punësuarve, prej vitesh përballemi me mungesë të kuadrit.”, - deklaroi koordinatorja e shërbimeve sociale - QPS, Shkup, Verica Deleva.
Ndërkohë, Lençe Ilievës nga Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale -Kriva Pallankë vlerësoi se çdo komunë duhet të ketë këshillimore dhe strehimore të saj, ndërsa institucionet shëndetësore duhet të kenë kapacitete për trajtimin e autorëve të dhunës, sidomos në rastet kur bëhet fjalë për persona me çrregullime mendore. Ajo kërkoi edhe ndryshime në ligj për të shmangur zvarritjen e procedurave.
“Sipas meje, çdo komunë duhet të ketë burime të zhvilluara për mbrojtjen e viktimave. Çdo komunë duhet të ketë këshillimore dhe shtëpi të sigurta. Institucionet shëndetësore duhet të kenë reparte të përshtatura, ku autorët e dhunës do të dërgohen për trajtim dhe mbështetje, pasi kohët e fundit ka shumë raste dhune të shkaktuara nga persona me çrregullime mendore, ndërsa në shtet kemi vetëm tre institucione të tilla shëndetësore. Ky është një problem real që kërkon zgjidhje. Gjithashtu, nevojitet një korrigjim i vogël në ligj, pasi një dispozitë parashikon që për çështjet që nuk rregullohen me Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje të zbatohen dispozitat e Ligjit për Procedurën Kontestimore, gjë që çon në zvarritjen e procedurave.”, - theksoi u.d. drejtoreshë e Qendrës Ndërkomunale për Punë Sociale - Kriva Pallankë, Lençe Ilieva.
Me këtë rast u tha se parandalimi mbetet elementi kyç në luftën kundër dhunës në familje. Gjithashtu u kërkua që të pësojë ndryshime ligjore dispozita, e cila parashikon që viktimat të largohen nga shtëpia, ndërsa autorët e dhunës mbeten në të.
FLORIJE KAMBERI
