Maqedoni

Përplasjet politike pushtet – opozitë thellohen pas shpalljes së epidemisë në Gostivar

20.07.2026 14:37

Shpallja e gjendjes së epidemisë në Gostivar dhe gjendja me ujin e pijshëm ka përplasur partitë politike....

Shpallja e gjendjes së epidemisë në Gostivar dhe gjendja me ujin e pijshëm ka përplasur partitë politike. Sipas numrit një të Qeverisë, Hristijan Mickoski, llogari duhet të mbajë secili që ka lidhje me këtë situatë të krijuar në Gostivar, ndërsa Qeveria me përkushtimin maksimal po mundohet t’ju dalë në ndihmë gostivarasve duke i siguruar ujin për pije. Sipas Mickoskit, institucionet e sistemit kanë përfunduar punën e tyre brenda dy ditësh. 
 
“Këtë mëngjes u informova nga Instituti i Shëndetit Publik se ajo që është në juridiksionin e tyre është përfunduar dhe i është dorëzuar Prokurorisë. Tani i takon Prokurorisë dhe prokurorit, i cili duhet të dalë me një kualifikim. Njëkohësisht, si qeveri, dje ndërmorëm një hap për të siguruar 50.000 litra ujë të pijshëm të ambalazhuar për qytetarët e Gostivarit. Dhe kjo do të jetë çdo ditë. Por, ajo që është shumë e rëndësishme është që uji sipas rekomandimeve nuk përdoret as për nevoja teknike. Pra, tani Ujësjellësi në Gostivar duhet të fillojë pastrimin e sistemit në mënyrë që qytetarët të mund ta përdorin ujin për nevoja teknike dhe higjienë, sepse tani, siç është, ata nuk duhet ta përdorin as për higjienë. Sa i përket përgjegjësisë morale, absolutisht të gjithë nga i pari deri tek i fundit duhet të mbajnë përgjegjësi.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
Por, nga LSDM-ja opozitare kanë akuzuar Qeverinë dhe Institucionet për mosveprim të shpejtë. Sipas tyre, mbi 2.000 qytetarë kanë kërkuar tashmë ndihmë mjekësore.
 
“Është alarmante gjendja me helmimin e qytetarëve në Gostivar. Mbi 2.000 qytetarë kanë kërkuar tashmë ndihmë mjekësore. Institucionet u vonuan në reagim dhe epidemia e gastroenteritit në Gostivar nuk ka shpërthyer brenda natës. Ajo u zhvillua me ditë të tëra para syve të institucioneve kompetente, të cilat në vend të reagimit në kohë, lejuan që situata të përshkallëzohej deri në një krizë të rëndë shëndetësore. Nga inspektimi është konstatuar se në tubacionin kryesor është instaluar një pompë me djegie të egër, pa asnjë miratim, përmes së cilës uji nga lumi Vardar është injektuar drejtpërdrejt në sistemin e ujësjellësit. Pavarësisht këtyre konstatimeve alarmante, epidemia u shpall vetëm kur ambulancat dhe spitalet ishin tejmbushur dhe numri i pacientëve arriti në afro dy mijë.”, - theksoi Natasha Popoviq nga LSDM.
 
Ndërsa nga VLEN-i përmes një komunikate me shkrim kanë theksuar se janë duke e ndjek me shqetësim gjendjen në Gostivar.
 
“VLEN-i po e ndjek me shqetësim gjendjen në Gostivar, pas rritjes së numrit të qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe shpalljes së epidemisë. Në këto momente, më e rëndësishmja është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, sigurimi i ujit të pijshëm dhe informimi i saktë dhe me kohë për çdo zhvillim. Presim që rezultatet e analizave laboratorike të publikohen sa më shpejt, ndërsa institucionet të vazhdojnë hetimin deri në përcaktimin e plotë të shkaqeve.”, thuhet në komunikatën e VLEN-it. 
 
Nga VLEN-i kanë theksuar se do të vazhdojnë ta ndjekin nga afër situatën dhe të angazhohen që qytetarëve t’u ofrohet çdo ndihmë e nevojshme deri në normalizimin e plotë të gjendjes.
 
FITIM KRYEZIU