Epidemia në Gostivar, 3.100 kontakte shëndetësore, Klekovski: Nuk janë fshehur informacione, hetimet vazhdojnë

20.07.2026 14:40

Në Gostivar janë regjistruar 3.100 kontakte shëndetësore...

Në Gostivar janë regjistruar 3.100 kontakte shëndetësore, përfshirë thirrje telefonike, ndërhyrje të Ndihmës së Shpejtë dhe kontrolle mjekësore. Vetëm dje u evidentuan 564 kontakte të para shëndetësore, bëri të ditur ministri Sasho Klekovski.

Ai tha se gjendja e të prekurve mbetet e pandryshuar, me probleme të stomakut si simptomat më të shpeshta, ndërsa më rrallë shfaqen ethe dhe temperaturë.

“Këtu janë të përfshira edhe thirrjet telefonike në shtëpinë e shëndetit, intervenime të ndihmës së shpejtë dhe gjithsesi qytetarë të pranuar dhe të kontrolluar. Po kryhen hetimet e nevojshme dhe Ministria e Shëndetësisë nuk ka fshehur asnjë informacion.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

IShP dorëzon analizat në Prokurori

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska, tha se po kryhen vlerësime epidemiologjike dhe gjendja po monitorohet. Sipas saj, u morën mostra nga katër lokacione të ndryshme, ndërsa procedura u zbatua në afatin më të shkurtër të mundshëm.

"Sot i kemi analizat e plota dhe gjatë ditës ato do t’i dorëzohen Prokurorisë. Po kryhen vlerësime epidemiologjike dhe gjendja po monitorohet. Shpallja e epidemisë bëhet kur vërehet rritje e numrit të rasteve të sëmundjes. Kjo do të thotë se të gjitha institucionet duhet të jenë më të koordinuara, të kenë komunikim më të madh ndërmjet tyre dhe të shqyrtohet dhënia e rekomandimeve. Ne, edhe para shpalljes së epidemisë, i kemi ndërmarrë të gjitha aktivitetet që duhet të ndërmerren në raste të tilla.", - theksoi drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska.

Andonovska i bëri thirrje Prokurorisë të hetojë rastin dhe të përcaktojë përgjegjësinë, duke shprehur solidaritet me qytetarët. (Armend Murseli, TVM2)