Rritja e çmimit të derivateve, Kuvendi shqyrton vazhdimin e gjendjes së krizës

20.07.2026 15:15

Propozim-vendimi i Qeverisë për vazhdimin e gjendjes së krizës...

Propozim-vendimi i Qeverisë për vazhdimin e gjendjes së krizës, për shkak të rrezikut nga çrregullimet në furnizimin me naftë dhe derivatet e saj, e kaloi Komisionin për Mbrojtje dhe Siguri dhe pritet të shqyrtohet në seancë plenare të Kuvendit.

Me propozimin kërkohet që gjendja e krizës të vazhdojë edhe tre muaj, nga 21 korriku deri më 20 tetor.

Qeveria vlerëson se ende ekziston rreziku nga çrregullimet në furnizim dhe luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, ndaj institucionet duhet të ruajnë mekanizmat për reagim të shpejtë.

“Komiteti Drejtues i propozoi Qeverisë që t’i propozojë Kuvendit miratimin e vendimit për ndryshimin e vendimit për vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës, për shkak të mundësisë së çrregullimeve në furnizimin me naftë dhe derivate të naftës në territorin e shtetit. Qeveria e pranoi këtë propozim të Komitetit Drejtues, pas propozimit të dorëzuar nga Komisioni për Vlerësim, dhe për këtë arsye ia dërgoi Kuvendit propozim-vendimin për miratim.”, - deklaroi Pançe Toshkovski nga VMRO-DPMNE.

Mbledhja e Komisionit ishte ndërprerë më herët me kërkesë të opozitës, e cila insistoi që para deputetëve të ishte i pranishëm një përfaqësues i autorizuar i Qeverisë. Megjithatë, LSDM bëri të ditur se nuk e konteston përmbajtjen e vendimit, por vetëm mënyrën e procedimit.

“Ky është një precedent që nuk duhet të lejohet në seancat e komisionit. Vetëm Qeveria ka kompetencë të autorizojë dikë që ta përfaqësojë në seancë. Nëse ekziston një autorizim i tillë, unë e pranoj. Ligji, përkatësisht vendimi për vazhdimin e gjendjes së krizës, është i pranueshëm për ne dhe do ta votojmë, por mendoj se procedura duhet të respektohet.”, - theksoi Oliver Spasovski nga LSDM.

Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar mbledhje të jashtëzakonshme të Qeverisë, ku do të shqyrtohen masa të reja antikrizë. Mes tyre është edhe mundësia e uljes së akcizave për benzinën dhe naftën, me qëllim zbutjen e ndikimit të rritjes së çmimeve mbi qytetarët dhe ekonominë. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)