Aksident me pasoja tragjike, tre viktima nga Vushtrria në rrugën Shkup - Bllacë

20.07.2026 15:28

Tre shtetas të Kosovës humbën jetën në një aksident tragjik në autostradën në ndërtim Bllacë–Shkup....

Gjurmët e aksidentit ende të dukshme në terren. Pjesë të shpërndara të automjetit kanë mbetur në këtë zonë aty ku përfundoi udhëtimi i tre shtetasve nga Kosova. Automjeti me të cilin po udhëtonin tre shtetasit e Kosovës ka rënë nga pjesa lart, e cila është pjesa e re e autostradës prej dy kilometrave, e cila përfundon pikërisht në këtë pjesë. 

Viktimat janë identifikuar si Ejup Tërnava, Çenet Tërnava dhe Fatmire Shabani, të tre nga Vushtrria. Sipas familjarëve, ata kishin humbur kontaktet mbrëmjen e së shtunës, menjëherë pasi ishin larguar nga Aeroporti i Shkupit në drejtim të Kosovës. Pas raportimit për zhdukjen e tyre, autoritetet e Maqedonisë së Veriut nisën operacionin e kërkimit. Siç njoftojnë nga MPB për lokalizimin e automjetit janë shfrytëzuar edhe pamjet nga kamerat e sigurisë dhe teknologjia ajrore. 
 
"Mbrëmë, rreth orës 22:35, në Sektorin për Punë të Brendshme Shkup është denoncuar se në autostradën nga vendkalimi kufitar Bllacë për në Shkup, e cila është e mbyllur për qarkullim dhe që është në fazë ndërtimi, një automjet udhëtarësh 'Mercedes' me targa nacionale gjermane, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur.", - deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski. 
 
Sipas autoriteteve, disa orë më herët, një shtetas i Kosovës kishte raportuar në polici zhdukjen e tre personave. Pas lajmit për aksidentin tragjik, reaguan edhe institucionet e Kosovës. Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, shprehën ngushëllime për familjarët e viktimave, ndërsa ngushllimë shprehu edhe bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti. Në shenjë zie, Komuna e Vushtrrisë njoftoi shtyrjen e aktiviteteve të planifikuara në kuadër të manifestimit "Ditët e Diasporës 2026". Ambasadori i Kosovës në Shkup, Florian Qehaja, njoftoi se ambasada është angazhuar për kthimin në Kosovë të trupave të pajetë të tre personave. 
 
ERSAN PAJAZITI