Gostivari në gjendje epidemike, rreth 1.800 qytetarë kërkojnë ndihmë mjekësore
20.07.2026 15:42
Mbi 175 pacientë të rinj kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Gostivarit...

Mbi 175 pacientë të rinj kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Gostivarit, me simptoma gastrointestinale si diarre, të vjella, temperaturë, plogështi dhe humbje oreksi.
Mjekët bëjnë të ditur se gjendja e pacientëve është stabile dhe po mbahen nën vëzhgim. Vetëm një pacient është hospitalizuar, ndërsa të tjerët janë trajtuar në mënyrë ambulatore. Në pediatri kanë kërkuar ndihmë 97 pacientë, ndërsa vetëm 3 fëmijë prej tyre janë hospitalizuar.
“Ne në Njësinë Urgjente i pranojmë pacientët të cilët kanë pasqyrë klinike pak më të rëndë, do të thotë të dehidratuar dhe me hipotension, për shkak të humbjes së lëngjeve dhe elektroliteve. Sipas shifrave të fundit, në konsultim me kolegët që punojnë në repartet e Infektologjisë dhe Pediatrisë, të dhënat tregojnë një ulje, ulje jo të ndjeshme, një ulje të pakët të numrit të pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë.”, - deklaroi mjekja në Spitalin e Përgjithshëm Gostivar, Afërdita Ismaili.
Në ndërkohë, reagimi i institucioneve nuk vonoi. Pas helmimit të qytetarëve në Gostivar, organet e ndjekjes arrestuan drejtoreshën e Ndërmarrjes Publike Komunale, Artana Asani, si dhe dy bashkëpunëtorë të saj, në kuadër të hetimeve për ndotjen e ujit të pijshëm në qytet. Institucionet kompetente bëjnë të ditur se hetimet po vazhdojnë dhe se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin e provave në procedurën parapenale.
Vetëm pak orë më parë, të revoltuar nga situata me ujin e pijshëm, qytetarët e Gostivarit kërkuan përgjegjësi dhe zbardhjen e plotë të rastit nga drejtuesit e Ndërmarrjes Publike Komunale.
“Erdha me qëllim që të ketë Gostivari ujë që është një prej burimeve më të mira që e ka ujin Vrutoku, por në këtë gjendje që jemi sot është turp. E di se uji nuk pihet, kërkojmë ujë të pijshëm dhe përgjegjësi prej atyre që e kanë bërë këtë problem.”, - tha një qytetare tjetër.
“Misioni ynë është që të kërkojmë përgjegjësi nga politikanët. Kryetari i Komunës deri kur ka ndodhur fatkeqësia nuk ka dhënë asnjë deklaratë, vetëm shkroi një mesazh në Facebook. Nuk duhet të jetë ai misioni apo përgjegjësia e politikanit duhet të dalë një parti politike duhet të kërkojë përgjegjësi, ne jemi fajtorët. Hera e parë që dolëm në protestë ishte shkaku ynë fshati Debresh se kishim mungesë uji dhe u premtua nga politikanët se do të ketë zgjedhje të menjëhershme dhe zgjidhja e menjëhershme ishte që të vidhet uji nga burim jo i sigurt për qytetarët, të ketë një zgjidhje të menjëhershme që nuk ishte e dobishme për ne qytetarët.”, - tha një qytetar.
“Është shumë e vështirë, sepse nuk mund të përdoret uji për asgjë, as për dush apo larjen e enëve. Mendoj se dikush ka përgjegjësi për ketë dhe ne kërkojmë përgjegjësi nga organet kompetente.”, - tha një qytetare.
Qytetarët kërkuan që rasti të zbardhet deri në fund dhe të identifikohen përgjegjësit. Sipas tyre, numri i personave me simptoma dyshohet të jetë edhe më i lartë, pasi shumë qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në ambulancat private, raste që, sipas tyre, nuk evidentohen në statistikat zyrtare së fundmi.
Dhjetëra qytetarë të Gostivarit dolën në protestë për të kërkuar furnizim të rregullt dhe të sigurt me ujë të pijshëm. Ata thanë se qasja në ujë të pastër është një e drejtë themelore dhe kërkuan nga institucionet përgjegjëse që sa më parë të zgjidhin problemin.
Autoritet e Komunës së Gostivarit thanë se, në koordinim me institucionet kompetente, po ndërmerren masa për menaxhimin e situatës. Nesër do të mblidhet Shtabi i Krizës, ndërsa sot do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme e Këshillit Komunal. Komuna do të ofrojë ndihmë për qytetarët që nuk kanë mundësi të sigurojnë ujë të pijshëm dhe do të hapë një linjë telefonike për nevojat e tyre. Ndërkohë, kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, deklaroi se nuk ndien përgjegjësi morale për të dhënë dorëheqje.
“Jemi në koordinim me të gjitha institucionet relevante dhe, gjithsesi, të hapur për bashkëpunim, që të verifikohet e vërteta për këtë rast. Konform zhvillimeve, do të merren edhe masat e nevojshme nga ana jonë si komunë.”, - theksoi kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani.
Simptomat e para tek qytetarët janë paraqitur më 13 korrik, ndërsa deri më tani janë evidentuar rreth 1.800 persona të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të problemeve gastrointestinale. Për shkak të përhapjes së rasteve dhe numrit të lartë të të prekurve, tashmë në këtë qytet është shpallur edhe gjendje epidemike. Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të kësaj situate.
REXHEP QAMILI
