Kuvend, Ligjet e arsimit të lartë hiqen nga rendi i ditës, deputetët vazhdojnë gjendjen e krizës me naftën

20.07.2026 16:00

Pakoja e ligjeve për arsim të lartë hiqet nga rendi i ditës...

Pakoja e ligjeve për arsim të lartë hiqet nga rendi i ditës pas ankesave të opozitës shqiptare se propozim-ligjet votohen me urgjencë në seancën e sotme të thirrur nga pasditja e së premtes.

Sipas opozitarëve, kjo është në kundërshtim me rregulloren dhe po tentohet të kontrabandohen ligjet, përderisa ata kanë qenë në një periudhë të përgatitjes së amendamenteve.

“Përveç se tentativës suaj të hapur për të bërë kontrabandim juridik të të gjitha ligjeve të cilat ju konvenojnë, ju shkojnë për shtat, unë arsye logjike këtu nuk shoh.”, - deklaroi deputetja e BDI-së, Rina Ajdari.

“Duhet të ndërpritet kjo seancë për shkak se nuk kemi të plotësuar asnjë kusht në bazë të rregullores. Neni 74 thotë vendimi për thirrjen e seancës së Kuvendit me propozim rendin e ditës dhe materialet për çështjet që propozohen për rendin e ditës së seancën, deputetëve u dërgohen së paku dhjetë ditë pune para ditës së caktuar për mbajtjen e seancës.”, - theksoi deputeti i Lidhjes Shqiptare, Elmi Aziri.

Sipas deputetit Halil Snopçe, ligjet e arsimit të lartë duhet të shqyrtohen me procedurë të rregullt.

“Ku është qëllimi, s’e kemi të qartë. Ta lëmë këtë rregullore, rregullorja është çështje tjetër. Shihni këto ligje, duhet të shqyrtohen me procedurë të rregullt.”, - theksoi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.

Nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshovski, këmbëngulte që të vazhdojë seanca që të votohet pika e parë e rendit të ditës: vazhdimi i gjendjes së krizës si për shkak të mundësisë eventuale për mosfurnizim me naftë dhe derivate të naftës në vend. Vazhdimi i gjendjes së krizës u votua pas koordinimit në pauzë me grupet parlamentare, por duke hequr pakon e ligjeve të arsimit të lartë nga rendi i ditës. (Meral Ismaili, TVM2)