Botë

Përshkallëzohen tensionet mes ShBA-së dhe Iranit në Ngushticën e Hormuzit

20.07.2026 16:25

Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur, pa tarifa kalimi dhe pa sulme, deklaron ShBA-ja....

Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur, pa tarifa kalimi dhe pa sulme, deklaron ShBA-ja. Uashingtoni mbetet i hapur për një zgjidhje diplomatike me Iranin, pavarësisht luftimeve që po zhvillohen. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, akuzoi Republikën Islamike të Iranit se nuk po përmbush detyrimet e saj për të garantuar lundrim të sigurt për të gjitha anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit. Armëpushimi paraprak dështoi në më pak se një muaj nga nënshkrimi i tij.
 
“E vetmja arsye pse Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme është neutralizimi i kapaciteteve iraniane që përdoren për të sulmuar transportin tregtar ndërkombëtar. Ngushtica e Hormuzit është një rrugë ujore ndërkombëtare dhe ata vazhdojnë të lëshojnë raketa kundër anijeve. Vendet e tjera duhet t’i bashkohen kësaj përpjekjeje. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara jo vetëm në mbrojtjen e këtyre anijeve, por edhe në goditjen e pozicioneve nga ku lëshohen raketa dhe dronë.”, - deklaroi sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
 
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara njoftoi se ka kryer një valë të re sulmesh ajrore ndaj objektivave në Iran, pasi bëri të ditur vdekjen e një tjetër ushtaraku amerikan. Teherani u kundërpërgjigj me një sulm ndaj Bahreinit, ku ndodhet Flota e Pestë e Marinës Amerikane. Kuvajti njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore janë angazhuar për të interceptuar raketat iraniane që po afroheshin. Ndërkohë, ushtria britanike bëri të ditur se një anije mori flakë në Ngushticën e Hormuzit, pranë brigjeve të Omanit.
 
“Shtabi Qendror Khatam al-Anbiya paralajmëron armikun e rremë amerikan: Forcat e Armatosura të Iranit do të japin një përgjigje shkatërruese ndaj çdo akti agresioni.”, - theksoi komandanti i Ushtrisë Iraniane, Ali Abdollahi Aliabadi.
 
Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për sulme ndaj infrastrukturës kritike. Përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme ka tronditur sërish tregjet botërore dhe ka rritur frikën për një krizë globale energjetike.
 
ABIBE QAILI