Çfarë e pret Kosovën nëse Kuvendi nuk e kalon Specialen?

14.06.2015 18:12

Këtë javë prite të nxirren për votim ndryshimet Kushtetuese që i hapin rrugën themelimit të Gjykatës Speciale. Sipas të gjitha gjasave, votimi do të ndodh të enjten...

Kjo është java e fundit kur deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të vendosin për themelimin e Gjykatës Speciale ose do t’i hapin rrugën Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të nisur procedurat për themelimin e këtij institucioni i cili do të merret me gjykimin e ish-ushtarëve të UÇK-së.

Paralajmërimin se të enjten do të votohet Gjykata e ka dhënë Glauk Konjufca i Vetëvendosjes.

Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa ka treguar se Gjykata Speciale do të merret edhe me krimin ekonomik të pasluftës.

Në këtë situatë, ndërkombëtarët janë duke insistuar që të votohet sa më shpejt themelimi i këtij mekanizmi të drejtësisë pasi rasti pastaj rrezikon të shkojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Rusia ka paralajmëruar se do të fillojë procedurat e themelimit të Tribunalit nga OKB-ja.

Zyrtarë ndërkombëtarë i kanë thënë Gazetës Express se proceduralisht nëse dështon Kosova, atëherë as Këshilli i Sigurimit s’mund ta votojë Tribunalin para muajit shtator.

Nëse kjo çështje shkon në OKB, atëherë Kosova do të shihet si Shtet dështuar pasi s’arriti t’i zbatojë marrëveshjet e miratuara në Kuvend. Si pasojë e kësaj, Kosova humbë mundësinë e nënshkrimit të MSA’së dhe rrjedhimisht hapin në integrimet evropiane. Po ashtu, do të ketë ngecje në përfundimin e dialogut për liberalizimin e vizave, duke kaluar procesi nga dialogu teknik në atë politik. Veç kësaj, do të ketë ngadalësim në përafrimin e Kosovës me BE dhe me organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe anëtarësimin e sportit.

Nëse Gjykata themelohet nga OKB-ja atëherë kjo do të bëhet bazuar në Rezolutën 1244 dhe do të lihen anash të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës.

Në fakt, edhe Gjykata Speciale do të funksionojë në njëfarë forme mbi Ligjet e Kosovës, pasi baza ligjore e saj do të jetë mbi ligjet dhe Kushtetutën kosovare.

Procesi i themelimit të Gjykatës Speciale ka nisur pas përfundimit të hetimeve lidhur me raportin e Senatorit zviceran, Dicka Marty, i cili flet për krime të UÇK’së, të kryera në fund dhe pas luftës në Kosovë. Në raport, përmenden udhëheqësit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si të përfshirë në krime të luftës, shkruan Gazeta Express.

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar marrëveshjen për themelimin e Gjykatës dhe Presidentja Jahjaga e ka bërë letërkëmbimin me zyrtarët e BE’së bazuar në dokumentin e miratuar nga deputetët kosovarë.