Përforcohen marrëdhëniet RMV – Indi, pretendohet shkëmbim tregtar 500 milionë dollarë

21.07.2026 15:39

Davkova e quajti historike vizitën e Presidentes nga India, Drupadi Murmu, në Shkup...

Vizitën e Presidentes nga India Drupadi Murmu në Shkup, Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, e quajti historike, sepse është vizita e parë e një president inga Republika e Indisë në vendin tonë. Në fjalimin e saj, Gordana Siljanovska Davkova, theksoi se India paraqet civilizimin më të vjetër të botës, por edhe një ndër fuqitë më të mëdha lëvizëse të rritjeve më inovative ekonomike në botë, por edhe arritjet shkencore dhe inovacionet teknologjike.
 
“India nuk është vetëm demokracia më e madhe botërore, por India është edhe shteti më rritjen më të shpejtë ekonomike. Edhe pse kjo vizitë është e para e këtij lloji, miqësia mes dy vendeve tona nuk po fillon sot, por dy vendet tona dhe popujt tanë i lidh edhe figura dhe vepra e humanistes botërore Nënë Tereza, dhe kjo është urra lidhëse mes dy popujve tanë. Po ashtu u dakorduam që marrëdhëniet tona bilaterale t’i ngjisim në një nivel më të lartë, prandaj këtë klimë të dialogut mes Ministrive, Qeverive dhe Parlamenteve do t’i rrisim deri tek nënshkrimi i shumë marrëveshjeve dhe memorandum bashkëpunimeve. Por, tema kryesore ka qenë zhvillimi global i ekonomisë së Indisë dhe bashkëpunimi ynë në të ardhmen, që ky shkëmbim tregtar brenda 5 viteve të ardhshme të arrijë në 500 milionë dollarë amerikanë.”, - deklaroi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Presidentja e Republikës së Indisë, Drupadi Murmu, e cila po qëndron në vendin tonë gjatë dy ditëve të ardhshme, theksoi se bashkëpunimi institucional dhe tregtar është një shtyllë e rëndësishme e marrëdhënieve tona bilaterale. 
 
“Duam që me vendin tuaj të promovojmë tregti më të lartë, shkëmbimin tregtar dhe nxitje të investimeve të reja. Kemi arritur të kemi një memorandum për shëndetësi, sidomos në shëndetësinë popullore. Kjo vizë e parë më ka dhënë shtytje dhe besim se të dyja vendet mund të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera që nga Turizmi, Bujqësia, Zhvillimi Teknologjik, e shumë sfera të tjera. Po ashtu jam optimiste se marrëdhëniet tona do t’i rrisim në një nivel më të lartë.”, - theksoi presidentja e Republikës së Indisë, Drupadi Murmu. 
 
Presidentja Indiane u prit edhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, ndërsa mbajti edhe fjalim para deputetëve në Kuvendin e Republikës. Në agjendën e delegacionit nga India është edhe forumi i biznesit maqedono-indian, ku dy presidentet do të prezantojnë mundësitë për të investuar në vendin tonë. 
 
Po ashtu gjatë ditës së nesërme të dyja presidentet do të vizitojnë Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës dhe Muzeun e Qytetit të Shkupit, ku do të mbajnë fjalim në ceremoninë e zbulimit të bustit të Mahatma Gandhi-t.
 
FITIM KRYEZIU