Gostivar, ndalimi për përdorimin e ujit mbetet në fuqi
21.07.2026 15:40
Ndalimi për përdorimin e ujit nga ujësjellësi i Gostivarit për pije dhe përdorim teknik mbetet në fuqi...

Ndalimi për përdorimin e ujit nga ujësjellësi i Gostivarit për pije dhe përdorim teknik mbetet në fuqi derisa analizat laboratorike të konfirmojnë se uji është i sigurt për konsum. Këtë e bëri të ditur drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Milanov. Sipas tij, gjatë inspektimeve është konstatuar se në gypin kryesor të rrjetit të ujësjellësit ishin vendosur në mënyrë të paligjshme pompa që injektonin drejtpërdrejt ujë në sistemin e furnizimit. Instituti i Shëndetit Publik ka marrë katër mostra uji për analiza laboratorike.
“Gjatë mbikëqyrjes u konstatua se në gypin kryesor të rrjetit të ujësjellësit ishin vendosur në mënyrë të paligjshme dhe pa miratim pompa që injektonin drejtpërdrejt ujë në sistemin e furnizimit me ujë. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik morën katër mostra uji nga rezervuari, uji sipërfaqësor dhe një çezmë publike pranë një xhamie për analiza laboratorike, me qëllim verifikimin e sigurisë së ujit. Për të parandaluar një rrezik më të madh për popullsinë e këtij rajoni, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vendosi menjëherë ndalim të përkohshëm për përdorimin e ujit për pije dhe përdorim teknik.”, - deklaroi drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Milanov.
Milanov theksoi se kafenetë, restorantet, çajtoret, furrat, sanduiçeritë, si dhe institucionet shëndetësore e publike, ku përgatitet ushqim, janë të obliguara të përdorin ujë teknik. Ai paralajmëroi se çdo operator ushqimor që nuk i respekton rekomandimet do të përballet me gjoba dhe procedura kundërvajtëse.
“Restorantet janë të obliguara të sigurojnë ujë teknik. Kjo do të thotë se i gjithë uji që vjen në kontakt me ushqimin, materialet dhe produktet ushqimore, enët e kuzhinës dhe ushqimi që përgatitet në sanduiçeri, restorante, kafene dhe byrektore nuk duhet të përdoret për konsum. Çdo shkelje e konstatuar te këta operatorë ushqimorë do të sjellë përgjegjësi dhe ndaj tyre do të parashtrohet kundërvajtje me gjobë financiare.”, - theksoi drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Milanov.
Drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin, Ivana Ginovska, deklaroi se për çdo ndryshim në sistemin e ujësjellësit, ndërmarrjet komunale duhet të marrin paraprakisht miratim nga Ministria e Mjedisit, ndërsa për rastin konkret nuk është paraqitur asnjë kërkesë. Sipas saj, NP Komunale e Gostivarit kishte realizuar një lidhje të paligjshme rreth 900 metra larg gypit kryesor, duke marrë ujë nga një kanal i hapur që nuk përfshihet në lejen e lëshuar nga Ministria e Mjedisit.
“Marrja e ujit për të cilën është informuar opinioni publik nuk është pjesë përbërëse e lejes që posedon NP Komunale Gostivar. Uji që merret është nga një trup ujor që aktualisht rrjedh nëpër një kanal të hapur të përhershëm. Inspektorati Shtetëror për Mjedisin mbetet plotësisht në dispozicion të Prokurorisë Themelore Publike dhe do të vazhdojë të veprojë në përputhje me kompetencat e tij ligjore.”, - theksoi drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin, Ivana Ginovska.
Ndërkohë, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, theksoi se përgjegjësia për funksionimin e sistemeve të ujësjellësit u takon komunave. Paralajmëroi përgjegjësi dhe zbardhjen e rastit.
“Dëshiroj t’i siguroj të gjithë qytetarët e Gostivarit se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut po i ndërmerr të gjitha masat e nevojshme në kuadër të kompetencave të saj dhe kështu do të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti.”, - u shpreh ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha.
Aktualisht ekipet e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari po punojnë në teren për të kryer deklorinimin e ujit dhe vënien në funksion të dearsenizatorit.
FLORIJE KAMBERI
