Bie numri i personave të infektuar në Gostivar, paraburgim 30-ditor ndaj tre të dyshuarve
Prokuroria Themelore Publike në Gostivar ka hapur hetim...

Prokuroria Themelore Publike në Gostivar ka hapur hetim dhe ka kërkuar paraburgim 30-ditor për drejtoreshën e Ndërmarrjes Publike Komunale në Gostivar dhe dy drejtues sektorësh, të dyshuar për vepra të rënda kundër mjedisit dhe natyrës. Kjo u bë e ditur në brifingun e sotëm në Prokurorinë Themelore Publike të Gostivarit, ku mori pjesë edhe prokurori shtetëror, Nenad Saveski, shefja e PThP-Gostivar, Elizabeta Josifovska, si dhe prokurorët kompetentë që po e hetojnë rastin, Zura Selimi dhe Hazbi Iseini.
“Vlerësojmë se vepra është kryer në bashkëkryerje nga të tre personat. Gjatë hetimit, sot është paraqitur edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të tre, pasi konsiderojmë se në këtë fazë të procedurës nuk ka mënyrë tjetër për të siguruar praninë e tyre.”, - deklaroi prokurori Hazbi Iseni.
"Gjatë ditës së sotme, tre persona janë sjellë para gjyqtarit të procedurës paraprake me urdhër të prokurorit publik, për të cilët, sipas informacioneve që kam marrë, është shqiptuar masa më e rreptë sipas dispozitave të Ligjit për Procedurën Penale, dhe për të cilën sigurisht që Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë të sigurojë dëshmitë e duhura, kurse Prokuroria Publike do ta udhëheqë procedurën në kuadër të kompetencave të saj.”, - u shpreh ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Të tre dyshohen se kanë dhënë urdhër për vendosjen e pompave, përmes të cilave uji i papastruar përzihej me ujin e pijshëm, duke çuar në sëmundjen masive të qytetarëve.
Pompat ishin vendosur në një kanal të jashtëm me qëllim rritjen e presionit të ujit në sistemin e furnizimit për Gostivarin dhe fshatrat përreth.
Analizat e Institutit të Shëndetit Publik kanë konstatuar praninë e baktereve koliforme dhe fekale në mostrat e marra nga kanali dhe stacioni i derdhjes.
Brenda kaptazhës janë zbuluar 39 baktere koliforme, ndërkohë që, sipas standardeve, kjo vlerë duhet të jetë zero. Uji nga çezmat e konsumatorëve nuk ka treguar prani bakteresh, por ka pasur nivel të klorit mbi kufijtë e lejuar.
“Më 16 korrik 2026 u njoftova se qytetarë të shqetësuar kishin raportuar se në fshatin Vrutok, në sistemin e ujësjellësit po futej ujë nga jashtë, duke ndotur ujin me të cilin furnizohet i gjithë qyteti. U konstatua se pompat ishin në funksion dhe përmes tyre po futej ujë i papërpunuar nga kanali në dhomën e derdhjes së ujësjellësit.”, - deklaroi prokurori Zura Selimi.
Për veprën penale për të cilën dyshohen, ligji parashikon dënim me burg prej të paktën katër vjetësh.
Sipas Prokurorisë, hetimi është në fazën fillestare dhe do të përcaktohet lidhja shkak-pasojë mes epidemisë dhe rezultateve të analizave të ujit.
Nëse sigurohen prova, hetimi mund të zgjerohet edhe ndaj personave të tjerë nga ndërmarrja, komuna ose institucione të tjera përgjegjëse, përfshirë ata që kishin detyrimin ligjor për të kontrolluar cilësinë e ujit.
Procedura ka nisur pas një kallëzimi anonim të qytetarëve të shqetësuar drejtuar policisë. Institucionet do të hetojnë gjithashtu nëse ka përgjegjësi edhe te subjekte të tjera, si Qendra Lokale e Shëndetit Publik dhe spitali, për shkak të mosnjoftimit të mundshëm në kohë për rritjen e numrit të pacientëve.
Pas largimit të pompave të kontestuara, institucionet shëndetësore duhet të vazhdojnë me masat e rregullta për normalizimin e furnizimit me ujë.
Për dallim nga dita e djeshme numri i qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore ka filluar të shënojë rënie.
Në repartin infektiv në Gostivar në 24 orët e fundit ndihmë mjekësore kanë kërkuar 111 pacientë të rinj, ndërsa 26 pacientë janë paraqitur për kontroll. (Armend Murseli, TVM2)
