Bie numri i personave të infektuar në Gostivar, paraburgim 30 ditor ndaj tre të dyshuarve
Gjykatësi i procedurës paraprake ka pranuar propozimin e Prokurorisë...

Gjykatësi i procedurës paraprake ka pranuar propozimin e Prokurorisë për të shqiptuar masën e paraburgimit 30-ditor ndaj të akuzuarve për ndotjen e ujit në Gostivar, Drejtoreshës së Ndërmarrjes Publike “Komunalec” në Gostivar dhe dy drejtuesve të tjerë, të cilët gjithashtu dyshohen se kanë kryer vepra të rënda penale kundër mjedisit jetësor dhe natyrës.
Nuk përjashtohet mundësia që hetimet të zgjerohen edhe më shumë, ndërsa Prokuroria po verifikon nëse ekzistojnë prova edhe për persona të tjerë të përfshirë.
Uji i çezmave mbetet i papërdorueshëm, ndërsa temperaturat e larta e vështirësojnë edhe më shumë jetën e përditshme të banorëve të Gostivarit.
Disa qytetarë blejnë ujë të pijshëm, të tjerë furnizohen në pikat e shpërndarjes ose mbushin ujë në fshatrat përreth.
Numri i personave të helmuar është në rënie, megjithatë ende ka qytetarë që kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të shqetësimeve në stomak.
Të befasuar nga rezultatet e analizave, sipas të cilave në ujë janë konstatuar bakterie fekale, qytetarët kërkojnë që të ketë përgjegjësi për këtë rast.
Në Gostivar është shpallur gjendje krize. Uji i rrjetit të qytetit nuk përdoret fare, ndërsa gjatë javës së kaluar më shumë se 3.300 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të problemeve gastrointestinale. (Ersan Pajaziti, TVM2)
