Stuhia lë pas dëme në Shkup, mbi 1.000 thirrje nga qytetarët për ndihmë
Mjaftuan vetëm pak minuta stuhi...

Mjaftuan vetëm pak minuta stuhi që shumë pjesë të Shkupit të përballeshin me pamje kaosi.
Fasada të shembura...çati të shkulura nga era.
Rrugë të bllokuara nga drunjtë e shkulur dhe automjete të dëmtuara, janë pamjet që lanë pas erërat e fuqishme që goditën kryeqytetin.
"Erërat e fuqishme dhe stuhia që përfshinë Shkupin lanë pas dëme të konsiderueshme. Në shumë pjesë të qytetit janë shkulur drunj, janë dëmtuar automjete, kulme shtëpish dhe objekte të ndryshme, ndërsa ekipet e shërbimeve komunale vazhdojnë të punojnë për largimin e pasojave dhe normalizimin e situatës. Pikërisht në këtë zonë, pasojat e stuhisë janë ende të dukshme, duke dëshmuar forcën me të cilën moti i keq goditi kryeqytetin".
Siç njoftoi Kryetari i qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, janë evidentuar mbi 1.000 thirrje nga qytetarët që kanë kërkaur ndihmë. Gjorgjievski tha se ekipet janë në terren dhe po punojnë në sanimin e pasojave.
“Më shumë se 50 ekipe janë në terren. Menjëherë u formua shtabi i krizës dhe u vendos në funksion. Këtu me mua janë të gjithë drejtorët e ndërmarrjeve publike. Më shumë se 1.000 njerëz, 1.000 punonjës të ndërmarrjeve publike janë në terren. Ajo që morëm përsipër të bëjmë së pari është të mundësojmë qasjen në bulevardet e zonës qendrore të qytetit. E dini që pati një fatkeqësi të madhe te "East Gate", ku ja tani kalueshmëria është mundësuar dhe aty ende po punojnë ekipet në terren. Më pas gradualisht po tërhiqen edhe nëpër komuna” – u shpreh Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Gjorgjevski informioi se deri tani nuk ka lajmërime për persona të lënduar.
Moti i keq ka goditur edhe qytetet tjera të vendit. Në Kumanovë është raportuar për rënie të konstruksionit të çatisë në bulevardin “Revolucioni i Tetorit”. Edhe në Tetovë, si pasojë e erës së fuqishme, janë dëmtuar dy mbulesa çatie dhe janë rrëzuar pemë. (Ersan Pajaziti, TVM2)
