Botë

Bota në ethe nga flakët në Lindjen e Mesme, konflikti ShBA-Iran drejt një lufte pa kthim

22.07.2026 13:22

Vala e pandërprerë e bombardimeve amerikane ka ndezur qiellin mbi objektivat iraniane...

Vala e pandërprerë e bombardimeve amerikane ka ndezur qiellin mbi objektivat iraniane, duke shënuar një pikë kritike që po i afron dy fuqitë drejt një lufte në shkallë të gjerë. Operacioni ushtarak po kushton shtrenjtë, jo vetëm në jetë njerëzish, por edhe në terma financiarë. Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Pete Hegseth, përpara Senatit dëshmoi mbi faturën e rëndë të këtij konflikti, duke shprehur shqetësime lidhur me koston e lartë financiare.  
 
"Kostoja e kësaj lufte deri më tani ka arritur në 37.5 miliardë dollarë. Ndërsa vazhdojmë të mbrojmë interesat tona strategjike, ne po kërkojmë zyrtarisht një buxhet shtesë prej 80 miliardë dollarësh për të përballuar operacionet e zgjeruara.", - deklaroi sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Pete Hegseth. 
 
Por, paralajmërimi më i ashpër erdhi direkt nga Shtëpia e Bardhë. Presidenti Donald Trump ka rritur tonet duke kërcënuar me goditjen e pikave më nevralgjike të Iranit, përfshirë industrinë e tyre bërthamore. Gjatë fjalimit të tij të fundit, Trump-i u shpreh prerë.
 
"Nëse Irani nuk tërhiqet menjëherë, ne jemi të gatshëm të ndërmarrim sulme masive shkatërruese. Objektivi ynë i radhës është i qartë: kompleksi bërthamor i njohur si 'Mali Pickaxe' do të fshihet nga harta.", - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Trump.
 
Edhe Marco Rubio, sekretari i Shtetit amerikan, ka thënë se Irani "nuk është serioz në lidhje me bisedimet" dhe paralajmëroi për një "precedent të rrezikshëm" që po krijohet në Ngushticën e Hormuzit. Duke folur në një takim të ministrave të jashtëm të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore në Filipine, Rubio sugjeroi që ShBA-ja ishte e hapura për negociata dhe akuzoi Teheranin se kërcënonte "lirinë e lundrimit" me veprimet e tyre në rrugën ujore kyçe. Ndërsa Teherani premton hakmarrje, komuniteti ndërkombëtar mbetet në ankth se ky përshkallëzim mund të marrë përmasa më të gjëra.
 
MERITA GASHI