Maqedoni

Këshilli Evropian për eurointegrime, BE-ja dhe pushteti kërkojnë konsensus politik

22.07.2026 13:45

Bashkimi Evropian dhe pushteti janë me një thirrje të harmonizuar, sa i takon përmbushjes së reformave nëpërmjet arritjes së konsensusit ndërpartiak....

Bashkimi Evropian dhe pushteti janë me një thirrje të harmonizuar, sa i takon përmbushjes së reformave nëpërmjet arritjes së konsensusit ndërpartiak. Euroambasadori Mihalis Rokas pasi theksoi nevojën e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, depolitizimin e gjykatave dhe administratës, ftoi partitë në dakordimin e qëndrimeve rreth Kodit Zgjedhor, por edhe shumë ligjeve të tjera. Në të njëjtën vijë, edhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, në takimin e Këshillit Kombëtar për Eurointegrime.
 
“Shoh se ekziston mundësi për diskutime dhe përballje në më shumë tema. Por, kur bëhet fjalë për këto pika, është shumë me rëndësi, kuptohet me ndihmën tonë mund të arrihet konsensus më së shumti për Kodin Zgjedhor, e më pas Kodin Penal, ligjet për gjyqësorin, Avokatin e Popullit, strategjinë për luftimin e korrupsionit e të tjera.”, - deklaroi ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas.
 
“U bëj thirrje të gjithë deputetëve për qasje konstruktive ndaj ligjeve të agjendës së reformave. Dallimet politike janë legjitime, por nuk duhet t’i bllokojmë reformat dhe të shkaktojmë humbjen e mjeteve evropiane.”, - theksoi ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali. 
 
Opozita kritikon pushtetin për ngecjen
 
Por, opozita me vërejtje se ngecja integruese ndodh për shumë arsye. Kryetari i Këshillit, Venko Filipçe, tha se vendi po i largohet rrugës evropiane për shkak të ndikimit të hapur të pushtetit ndaj gjyqësorit, botës serbe dhe Rusisë, trysnisë ndaj mediave dhe gënjeshtrat se identiteti dhe gjuha maqedonase janë të rrezikuara. Nga Fronti Evropian konsiderojnë se ndryshimet kushtetesuese janë hap i domosdoshëm për zhbllokimin e negociatave.
 
“Shtrohet pyetja nëse ndalesa e qëllimshme e rrugës evropiane nuk është goditje shtetërore, kur dihet se çfarë duhet bërë dhe kur asnjë kapitull nuk është hapur. Për fat të keq ne po qëndrojmë në vend.”, - u shpreh kryetari i Këshillit Kombëtar për Evrointegrime Venko Filipçe.
 
“Si mund të ndërtohet një narrativ sikur i gjithë shteti është kundër ndryshimeve kushtetuese, ku një pjesë kaq e madhe e qytetarëve, përfshirë shqiptarët dhe komunitetet e tjera publikisht dhe vazhdimisht kanë mbështetur këtë proces.”, - deklaroi deputetja e Frontit Evropian, Arbana Pasholli. 
 
Shumica për ngecjet fajëson ish-pushtetin. 
 
“Mendoj se Maqedonia, edhe shtetet tjera nga rajoni mund të nisin bisedimet dhe të përparojnë me bisedimet në përputhje me rezultatet e arritura, por për fat të keq, Bujar Osmani në vitin 2022 ka nënshkruar obligim, të cilën shumica e atëhershme LSDM-BDI nuk mundi assesi ta përmbushë.”, - theksoi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
 
Seanca e Këshillit Kombëtar iu përkushtua çështjeve kyçe të integrimit, pasi së fundmi dështoi përpjekja të miratohet Kodi Zgjedhor, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth votimit elektronik të diasporës.
 
MERAL ISMAILI