Administrata Publike me rregulla të reja, punësime me meritë, integritet dhe kompetencë

22.07.2026 13:52

Meritë, integritet dhe kompetencë...

Meritë, integritet dhe kompetencë, ky do të jetë sistemi i ri i punësimit i prezantuar nga Ministria e Administratës Publike. Rregullorja e re përcakton qartë kompetencat e nevojshme për çdo vend pune, ndërsa përzgjedhja dhe avancimi i nëpunësve administrativë do të mbështeten në Udhëzuesin për integritet, meritë dhe punësim të bazuar në kompetenca, si dhe në udhëzuesin për intervistimin, sipas kompetencave. Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, tha se këta mekanizma do t'u mundësojnë institucioneve të zhvillojnë procedura objektive, të drejta dhe transparente të punësimit, të bazuara në aftësitë reale të kandidatëve dhe në integritetin si vlerë themelore e administratës publike.

"Me këto zgjidhje ligjore kemi vendosur standarde të reja në menaxhimin e burimeve njerëzore në sektorin publik. Kemi krijuar një kornizë ligjore që afirmon parimet e sistemit të meritës, transparencës, profesionalizmit, llogaridhënies dhe zhvillimit të vazhdueshëm profesional. Në këtë mënyrë krijojmë kushte për forcimin gradual të sistemit të meritës dhe zvogëlimin e subjektivitetit në proceset e përzgjedhjes dhe punësimit.", - deklaroi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Uahl, theksoi se qytetarët meritojnë një administratë publike efikase, të liruar nga korrupsioni dhe nepotizmi.

Sipas tij, zbatimi konsekuent i mekanizmave të rinj duhet të jetë prioritet, ndërsa mbështetja e OSBE-së do të ndihmojë në zbatimin e reformave të qëndrueshme dhe forcimin e rezistencës ndaj korrupsionit.

"Suksesi i kësaj reforme nuk do të matet vetëm nga dokumentet që prezantohen sot, por nga zbatimi i tyre i qëndrueshëm në ministri, agjenci, komuna dhe institucione të tjera publike. Së bashku po u ofrojmë institucioneve publike udhëzime të qarta dhe praktike për të siguruar një proces punësimi të drejtë, transparent dhe të përgjegjshëm, të bazuar në kompetencat dhe cilësitë e kandidatëve.", - theksoi shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Uahl.

Autoritetet thonë se reforma në Administratën Publike nuk është vetëm një zotim deklarativ, por një vizion i qartë që do të japë shpejt rezultate konkrete. Sipas tyre, masat e marra sigurojnë vazhdimësinë e procesit që synon të përzgjedhë punonjësit më të mirë për një administratë tërësisht në shërbim të qytetarëve. (Rexhep Qamili, TVM2)