"Tour de France", edhe një tjetër çiklist theu klavikulën
22.07.2026 14:01
Çiklisti gjerman Florian Lipowitz (25), i cili vitin e kaluar e përfundoi "Tour de France"-in në vendin e tretë...

Çiklisti gjerman Florian Lipowitz (25), i cili vitin e kaluar e përfundoi "Tour de France"-in në vendin e tretë, ka pësuar thyerje të klavikulës pas rrëzimit gjatë etapës së 16-të të garës së sivjetme, të zhvilluar të martën. Lëndimi u konfirmua pas ekzaminimeve në spital, ku ai u dërgua menjëherë pas aksidentit. Rikuperimi pritet të zgjasë rreth një muaj e gjysmë. Kjo do të thotë se sezoni për Lipowitzin praktikisht ka përfunduar, pasi shanset e tij për një rezultat të mirë në Kampionatin Botëror në Montreal, që mbahet nga 20 deri më 27 shtator, janë shumë të vogla.
Një ditë para Lipowitzit, edhe danezi Jonas Vingegaard, i cili vitin e kaluar përfundoi i dyti në "Tour de France", u detyrua të tërhiqej nga gara për shkak të të njëjtit lëndim – thyerjes së klavikulës. Pesë ditë para përfundimit të garës, kampioni në fuqi, slloveni Tadej Pogaçar, kryeson renditjen me epërsi prej 4 minutash e 32 sekondash ndaj ndjekësit më të afërt, belgut Remco Evenepoel. (Gazetar: Safet Ademi)
