Mickoski: Vazhdojmë me reformat pandërprerë

22.07.2026 14:35

Kryeministri Hristijan Mickoski ka realizuar një takim online...

Kryeministri Hristijan Mickoski ka realizuar një takim online me drejtorin e Drejtorisë për Fqinjësi dhe Zgjerim të Komisionit Evropian, Gert Jan Kopman, me të cilin kanë diskutuar ligjet dhe hapat reformues që vendi duhet të ndërmarrë deri në dhjetor të këtij viti në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Mickoski vlerësoi se vendi vazhdon të përmbushë detyrimet e tij dhe se me përjashtim të Kodit Zgjedhor, i cili, theksoi ai, "për arsye të njohura, nuk është miratuar publikisht", hapat e tjerë për zgjidhjet ligjore të reformës janë përmbushur.

“Nga ato që ishin në "periudhën grejs", mbetet vetëm Kodi Zgjedhor, gjithçka tjetër është përfunduar. Dhe nga ato që janë në procedurë të rregullt, shumica janë përfunduar. Sot patëm një takim përmes një lidhjeje online me Brukselin dhe me z. Kopman. Tashmë po diskutojmë ligjet dhe hapat reformues, të cilët janë në "periudhën grejs" deri në dhjetor të këtij viti dhe të cilët janë brenda afatit të caktuar të dhjetorit të këtij viti. Ne vazhdojmë të japim rezultate me dinamikë të pandërprerë. Sot, morëm prej tyre, thënë kushtimisht, një kompliment të caktuar se jemi të parët nga të gjitha vendet që kemi filluar të ndërmarrim këto hapa, ndërsa të tjerët ende nuk kanë një qëllim të tillë.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.