Maqedoni

Situata në Gostivar, vazhdojnë përplasjet e partive politike

22.07.2026 14:41

Nuk kanë heshtur reagimet dhe përplasjet mes partive politike rreth situatës së krijuar në Gostivar...

Nuk kanë heshtur reagimet dhe përplasjet mes partive politike rreth situatës së krijuar në Gostivar, pas helmimit të mijëra banorëve me ujin e pijshëm. VMRO-DPMNE-ja edhe njëherë ka akuzuar kryetarin e Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, se ai po mbron politikat e LSDM-së, BDI-së dhe të Taravarit, dhe se, sipas tyre, është e pakuptimtë se si i njëjti deklaron se nuk ndjen përgjegjësi për skandalin e ujit në Gostivar.
 
“Kur Valbon Limani thotë se nuk ndjen përgjegjësi për skandalin e ujit në Gostivar, LSD-ja, BDI-ja dhe Taravari heshtin. Të njëjtët njerëz që flasin çdo ditë për llogaridhënie dhe kërkojnë dorëheqje, sot nuk kërkojnë as falje, as përgjegjësi politike apo morale nga kandidati i tyre, Valbon Limani.”, - deklaroi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
 
Kanë reaguar nga LSDM-ja. Sipas tyre, institucionet dhe sistemi dështuan plotësisht në mbrojtjen e shëndetit publik dhe për këtë duhet të ketë përgjegjësi. 
 
“Të gjitha institucionet shëndetësore dështuan; ky është një fakt. Pse, kur numri i pacientëve filloi të rritej ndjeshëm, askush nuk e hetoi shkakun në kohën e duhur? Në vend të një reagimi të shpejtë, koordinimit urgjent, publikimit të rezultateve të analizave të ujit dhe menaxhimit efektiv, ajo që pasoi ishte kaosi dhe një kolaps i plotë institucional.”, - theksoi nënkryetarja e LSDM-së, Jovana Trençevska.
 
BDI-ja shpreh shqetësim për ndotjen e ujit dhe rrezikun serioz që kjo situatë paraqet për shëndetin e qytetarëve. Sipas tyre, “institucionet kompetente duhet të veprojnë menjëherë, me përgjegjësi dhe transparencë të plotë, për të përcaktuar burimin e kontaminimit, përgjegjësinë institucionale dhe për të sqaruar nëse janë ndërmarrë me kohë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e qytetarëve.”.
 
Ndërsa, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, ka deklaruar se VLEN-i dhe Qeveria u kanë treguar qytetarëve të Gostivarit se nuk janë të vetëm. Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit në një komunikatë ka vlerësuar se situata është në përmirësim dhe në proces të stabilizimit. 
 
“Nuk duhet të shpejtojmë me gjykime, etiketime apo akuza pa përfunduar puna profesionale e institucioneve. Shtabi i Krizës është duke kryer detyrat e tij, ndërsa kryetari i Komunës së Gostivarit ka vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet komunale për menaxhimin e situatës dhe për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.”, thuhet në komunikatën e ASh-së. 
 
Në reagimin e Lidhjes Shqiptare thuhet se Sela u kërkon ndjesë qytetarëve për këtë vendim, duke vlerësuar se ata që morën besimin e qytetarëve, për interesa personale dhe për përfitime politike, e sollën qytetin në situatën aktuale.
 
“Ziadin Sela shfrytëzon rastin t’u kërkojë ndjesë qytetarëve të Gostivarit që në të kaluarën ua besoi fatin e Gostivarit njerëzve të gabuar, të cilët për karrierë dhe për rejting politik janë të gatshëm të bëjnë atë që i bënë një qyteti të tërë.”, thuhet në deklaratën e Lidhjes Shqiptare.
 
Uji në Gostivar do të lejohet për konsum vetëm atëherë kur të jetë absolutisht i sigurt, njoftojnë autoritetet. 
 
FITIM KRYEZIU