Maqedoni
Kumanovë, stuhia e fuqishme rrëmbeu gjithçka përpara
22.07.2026 15:15
Kumanovën e përfshiu një gjendje e rëndë apokaliptike me erë të fortë dhe reshje të dendura të shiut duke shkaktuar kaos e panik tek qytetarët....

Për rreth 15 minuta rresht në orët e vona të pasdites së djeshme, Kumanovën e përfshiu një gjendje e rëndë apokaliptike me erë të fortë dhe reshje të dendura të shiut duke shkaktuar kaos e panik tek qytetarët. Për një çast nga stuhia e fuqishme u thyen dhe u shkulën shumë pemë në pjesë të ndryshme të Kumanovës, fluturuan çati nga kulmet e ndërtesave dhe shumë gjësende të tjera nga objektet shtëpiake dhe bizneset e ndryshme të Kumanovës. Deri sa era e fortë shkatërroi gjithçka para vetes, rrugët e qytetit nga shiu i dendur u shndërruan në lumenj. Evidente është se janë shkaktuar dëme të mëdha për çka sot urgjentisht është mbledhur shtabi i krizës pranë Komunës së Kumanovës, ku u diskutua për situatën aktuale, pasojat dhe vlerësime e dëmeve të shkaktuara.
“Në këtë takim u grumbulluan të dhënat nga ekipet që ishin në terren. Falë NP “Pastrim dhe Gjelbërim”, Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, u intervenua me kohë në pastrimin dhe sanimin e dëmeve të shkaktuara nga moti i ligë. Gjithashtu kemi grumbulluar të dhëna edhe nga EVN-ja, Spitali i përgjithshëm i Kumanovës, si dhe MPB. Ekipet e EVN-së, gjatë tërë natës, por edhe sot nga mëngjesi kanë qenë aktiv në sanimin e defekteve, pasi që shumë pjesë të qytetit ishin pa energji elektrike, mirëpo nga sot në mëngjes në disa pjesë të ndryshme të qytetit defektet janë mënjanuar dhe se janë duke u furnizuar me energji elektrike.”, - theksoi sekretari i Komunës së Kumanovës, Emilija Sllaridis Janevska.
Në përfundim të këtij takimi, shtabi i krizës ka bërë të ditur se për shkak të gjendjes jo stabile të motit, i njëjti do të mbajë takime të rregullta varësisht nga situata, me qëllim që t’u dalë në ndihmë qytetarëve. Gjithashtu njoftohen qytetarët e Komunës së Kumanovës se të gjithë ata që kanë pësuar dëme, të njëjtit t’i paraqesin në Arkivin e komunës, ku do t’i shqyrtojë komisioni për vlerësimin e dëmeve.
FATLUM AQIFI
