Gostivar, kriza e ujit rëndon jetën e banorëve, në rënie numri i të infektuarve
Banorët e Gostivarit po përballen me vështirësi...

Banorët e Gostivarit po përballen me vështirësi në kryerjen e obligimeve të përditshme pas ndalimit të përdorimit të ujit nga ujësjellësi për pije dhe përdorim teknik.
Ata thonë se kufizimi ka ndikuar ndjeshëm në jetën e tyre të përditshme, ndërsa donacionet me ujë të pijshëm i vlerësojnë si të pamjaftueshëm për të përmbushur nevojat e ditës. Kërkojnë përgjegjësi dhe zbardhje të rastit.
Nga ana tjetër një pjesë e qytetarëve shprehen se, pavarsisht rekomandimeve të autoriteteve vazhdojnë të përdorin ujin nga rrjeti I ujësjellësit, pasi nuk besojnë se epidemia erdhi nga uji.
“Edhe unë kam qenë i infektuar. Piva një limonadë dhe një ujë, dhe kamarieri më tha të mos pi ujë. Me këtë skandal që bëri Ndërmarrja e Higjienës, që është në kompetencë të komunës, ata duhet të marrin përgjegjësi, drejtoresha dhe të punësuarit, pasi është helmuar një numër i lartë i qytetarëve. Në ujin e pijshëm kanë futur ujëra të zeza dhe pastaj u sëmurëm. Kemi numër të lartë të pacientëve të sëmurë në Spitalin Infektiv. Edhe pemët duhet t’i lajmë, dhëmbët duhet t’i lajmë me ujë të pastër dhe fëmijët duart të mos i lajnë në çezmë.”, - u shpreh një qytetar.
“Kemi akoma banorë që prijnë, por disa kanë frikë. Le të interesohen edhe te mjeku amë nëse kemi pasur ndonjë gjë, por ja, edhe fëmijës 5-vjeçar nga çezma i japim ujë dhe nuk ka asgjë. Atë ditë që kaloi aeroplani për spërkatje, më datë 15 apo 16, ka qenë natë, i gjithë Gostivari u sëmur. Kjo nuk është nga uji i komunës. Nëse është te pompat e vendosura, nuk mund të them se është kurdisje për ndonjë gjë, por nuk e di.”, - tha një qytetar.
“Duhet të rregullohet. Ne ujin e marrim prej Vrutokut, por deri tash mua nuk më ka penguar. Nuk ka ndodhur që uji të jetë i ndotur në Gostivar.”, - theksoi një qytetar.
“Më keq nuk ka. Jemi sëmurë të gjithë, blejmë ujë. Apelojmë te ata që uji të bëhet sa më i mirë për pije. Ata nuk duhet të dalin nga burgu asnjëherë, fillimisht drejtoresha e ujësjellësit e pastaj edhe kryetari i komunës dhe të gjithë shefat e tyre. Prej 17 vitesh jetoj në këto fshatra, sepse vij prej Rekës, dhe tani shkojmë atje të mbushim ujë.”, - u shpreh një qytetar.
“Ujë përdor prej në shitore dhe i falënderoj të gjithë njerëzit humanë që na kanë ndihmuar me ujë. Momentalisht unë me shëndet jam mirë dhe nuk kam asnjë problem. Është keq se vijnë prej gurbetit dhe habiten si ndodhi kjo me ujin. Është shumë problem.”, - tha një qytetar.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se uji në Gostivar do të lejohet për konsum vetëm atëherë kur të jetë absolutisht i sigurt, Klekovski tha se autoritetet kanë pajisjet e duhura për të detektuar viruset ose bakteret e personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
“Ne, po monitorojmë situatën. Pra, analiza e situatës mikrobiologjike dhe virale përfshin edhe Klinikën e Sëmundjeve Infektive. Nuk ka virus që nuk mund të zbulohet. Uji do të rikthehet në përdorim kur të jetë absolutisht i sigurt. Në këtë moment, nuk janë identifikuar agjentë që do të shkaktonin një ndryshim në pamjen klinike pas kësaj situate.”, - u shpreh ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Epidemiologet njoftojnë se numri i rasteve të pacientëve të infektuar shënon rënie. Ata edhe më tej bëjnë thirrje që uji të mos përdoret deri në një njoftim zyrtar që uji është i pastër.
“Në 24 orët e fundit për kontroll në repartin infektiv janë lajmëruar 60 pacient, në urgjencë 11 pacientë dhe në repartin e fëmijëve 37 pacientë. Jemi të informuar se uji nga ujësjellësi po vazhdon të konsumohet nga një pjesë e qytetarëve, por ndalesa vazhdon akoma. Qytetarët duhet të pinë ujë të sigurt por edhe uji i pastrimit të ushqimeve dhe larje të fruta perimeve duhet jetë i sigurt, deri në rezultatet e ardhshme.”, - u shpreh epidemiologja Zorica Zafirovka.
Edhe pse numri i personave që kërkojnë ndihmë mjekësore është në rënie, autoritetet shëndetësore apelojnë qytetarët që të respektojnë rekomandimet deri në normalizimin e situatës. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
